Përmbyllet Seminari III i diasporës në Shkodër, mësuesit shqiptarë ndajnë sfidat për ruajtjen e shqipes në kohën digjitale

Arsim | 1 vit më parë

Pas tri ditësh punime intensive, në qytetin e Shkodrës u përmbyll edicioni i 18-të i Seminarit Mbarëkombëtar për mësuesit e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë. Në ditën e fundit u nxorën konkluzionet mbi mënyrat e përmirësimit të mëtejshëm të procesit mësimor dhe ruajtjes së identitetit gjuhësor jashtë atdheut.

“Ky seminar ka qenë një hapësirë produktive për ndarjen e përvojave shumë pozitive të mësuesve në përdorimin e teknologjisë digjitale për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Janë mbajtur kumtesa shumë cilësore e profesionale, të cilat kanë synuar zhvillimin profesional të mësuesve të gjuhës shqipe në diasporë,” tha Erida Koleci, specialiste e Kurrikulës në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

Rreth 250 mësues shqiptarë nga vende të ndryshme të botës morën pjesë për herë të parë në këtë format në Shkodër, duke ndarë eksperiencat e tyre dhe sfidat me të cilat përballen çdo ditë në përpjekje për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare.

“Brezi i parë, në qoftë se nuk e ruan gjuhën… Marr shembullin e arbëreshëve, që e kanë ruajtur gjuhën më tepër se 500–600 vjet. Na del detyrë të tërëve, jo vetëm ne mësuesve, që jemi mësues vullnetarë, por të tërëve, për ta ruajtur gjuhën shqipe edhe në dialekt, edhe në standard,” u shpreh Pjerin Lleshi, një mësues i gjuhës shqipe në Greqi.

“Zakonisht punohet në fund të javës, të shtunave ose të dielave. Kemi dy orë në javë dhe është një shembull shumë i veçantë që kemi një dashuri të madhe ndaj gjuhës shqipe nga fëmijët. Ata vijnë me shumë dëshirë për ta mësuar gjuhën,” shtoi mësuesi Ragip Thaqi, i cili punon në Itali.

Në këtë edicion u zhvilluan 9 punëtori tematike, të cilat sollën në vëmendje rolin e teknologjisë në ruajtjen e gjuhës, ndërthurjen e mësimdhënies me elementët e kulturës kombëtare dhe ndërtimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies në kushtet e emigracionit.

Në përmbyllje, të gjithë mësuesit pjesëmarrës u pajisën me certifikata vlerësimi.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme