Nxehtësia ekstreme po zhduk shpendët tropikalë

Kuriozitete | 1 vit më parë

Nga pyjet tropikale të Amerikës Qendrore e Jugore deri te savanat e Australisë veriore, ndryshimet klimatike po rrezikojnë mijëra specie zogjsh që lulëzojnë në klimë të nxehtë dhe të lagësht.

Sipas një studimi të botuar në Nature Ecology and Evolution, rajonet tropikale po përjetojnë dhjetë herë më shumë ditë të nxehta sesa 40 vjet më parë. Midis viteve 1950 dhe 2020, ngjarjet ekstreme të nxehtësisë kanë ulur popullatat e zogjve tropikalë me 25% deri në 38%.

“Ngjarjet ekstreme të nxehtësisë janë një shkaktar kryesor i humbjes së specieve. Edhe zonat më të pastra të Tokës po humbasin biodiversitet,” tha James Watson, profesor në Universitetin e Queensland dhe bashkautor i studimit.

Në studim u analizuan më shumë se 90,000 vëzhgime shkencore nga më shumë se 3,000 popullata zogjsh dhe i krahasuan ato me të dhënat ditore të motit që datojnë që nga viti 1940, për të parë se si popullatat e zogjve iu përgjigjën ngjarjeve ekstreme të motit, duke përfshirë reshjet dhe valët e nxehtësisë.

Shkencëtarët zbuluan se ekspozimi ndaj ekstremeve të nxehtësisë çoi në një zvogëlim të popullatave të shpendëve tropikalë.

Studimi nënvizon kërcënimin që paraqet nxehtësia ekstreme për zogjtë në rajonet tropikale dhe ndihmon në shpjegimin pse zogjtë po ngordhin edhe në zona të largëta dhe të mbrojtura, të cilat zakonisht konsiderohen parajsa të biodiversitetit.

Në disa pyje tropikale të paprekura në Panama dhe Amazonë, popullatat e zogjve ranë me mbi 50% në periudhën 2003–2022. Studiuesit theksojnë se rritja e temperaturave ekstreme është më e dëmshme sesa rritja mesatare e temperaturës globale.

Watson e quan këtë “një tjetër thirrje zgjimi” për të reduktuar urgjentisht emetimet e gazrave serrë, përndryshe, paralajmëron ai, do të humbasim një numër të madh speciesh në tropikë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme