Përgatitjet për vitin e ri shkollor, po punohet në të gjitha shkollat e bashkisë Maliq
Në bashkinë e Maliqit janë duke u kryer meremetimet, dhe lyerja e shkollave dhe kopshteve në mënyrë që ato të jenë të gatshme për nisjen e vitit të ri shkollor në shtator.
Përgjegjësi i sektorit të Shërbimeve Publike, Azem Nuhu, thotë për RTSH Korça se aktualisht po punohet në fshatin Vashtmi, si dhe në Sheqeras, për të vijuar edhe me njësitë e tjera të fushës, të cilat kanë numrin më të madh të institucioneve arsimore. Më pas do të vijohet edhe me shkollat dhe kopshtet në njësitë administrative malore.
Kryesisht gjendja e tyre paraqitet e mirë, por ka edhe vende për riparime të defekteve apo dëmtimeve të ndryshme që kanë ndodhur gjatë vitit shkollor të kaluar.
“Kemi filluar në çdo njësi administrative për të vazhduar më tej në ditët e fundit të muajit gusht, për zonën malore të bashkisë Maliq, siç është Gora dhe Moglica. Në çdo shkollë ne i kemi bërë të gjitha ndërhyrjet, jo vetëm lyerje, por edhe ndërhyrje në shërbimet elektrike-hidraulike, banka, dyer, dritare, gjithçka ka një shkollë,” shprehet z. Nuhu.
Bashkia e Maliqit synon që brenda verës të meremetojë dhe të lyejë të gjitha institucionet arsimore në territorin e saj, në mënyrë që viti shkollor të fillojë normalisht dhe pa probleme për shkollat dhe kopshtet.
Gazetare: Kostanca Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





