Shpërndarja e teksteve shkollore në Shkodër, përfitojnë 8.900 nxënës të arsimit parauniversitar
Duke nisur prej datës 25 gusht, në Shkodër nis shpërndarja e teksteve shkollore për 8,500 nxënës të arsimit bazë dhe 400 gjimnazistë. Shkollat kanë hartuar planin e shpërndarjes në bazë të një grafiku, për të evituar radhët e pritjes.
“Mësuesit kanë bërë përzgjedhjen e teksteve të klasave I-V dhe këto klasa do të marrin tekste të reja. Klasat e gjashta, të shtata, të teta dhe të nënta do të marrin tekste të përdorura. Nga ky çast deri më 25 gusht, të gjithë distributorët do të furnizojnë shkollat me tekstet që janë porositur nga institucionet arsimore të Shkodrës. Në bazë të këtyre porosive, do të bëjmë grumbullimin e teksteve nga shkollat për klasat përkatëse dhe do të bëhet shpërndarja nga data 25 nga mësuesit kujdestarë”, tha Evis Grizhja, drejtoreshë në shkollën 9-vjeçare “Salo Halili”, Shkodër.
Dhënia e teksteve shkollore falas prej vitesh është kthyer në një ndihmë kryesisht për familjet me nevoja të veçanta.
“Normalisht është shumë ndihmuese për popullatën, se bëhet fjalë për shtresa të ndryshme,” tha ajo.
Apeli drejtuar nxënësve dhe prindërve është kujdes në mirëmbajtjen e teksteve shkollore:
“Për prindërit kemi një mesazh që të jenë sa më të kujdesshëm në mirëmbajtjen e këtyre teksteve, pasi do të përdoren edhe vitin që vjen”, apeloi ajo.
Marrja dhe dorëzimi i teksteve shkollore bëhet me procesverbal, ku fëmijët duhet të mirëmbajnë librat, pasi ata do të përdoren në dy vitet pasuese.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





