Kërkesat e tregut të punës, ministri Gonxhja miraton ndryshimet në katalogun kombëtar të kualifikimeve profesionale

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka miratuar të mërkurën ndryshimet në Katalogun Kombëtar të Kualifikimeve Profesionale.
Ky veprim vjen në mbështetje të ligjit “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë” dhe synon të përditësojë standardet e kualifikimeve profesionale në vend.
Ndryshimet e miratuara tashmë janë botuar dhe gjenden në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve. Kjo agjenci është ngarkuar me zbatimin e këtij urdhri, shkruan rtsh.al.
Katalogu Kombëtar i Kualifikimeve Profesionale shërben si një instrument dinamik që klasifikon dhe integron kualifikimet për arsimin dhe formimin profesional. Ai i bazon kualifikimet në rezultatet e të nxënit, duke identifikuar për çdo profesion nivelin e duhur të referencës në Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK), nga fushat e gjera të kualifikimit deri te specialitetet më të imta.
Ky katalog, i miratuar fillimisht në vitin 2021, përcakton se një kualifikim është një rezultat formal i vlerësimit, i dhënë nga një institucion i akredituar, i cili dëshmon se një individ ka arritur një nivel të caktuar njohurish dhe aftësish, të nevojshme për të ushtruar me sukses një profesion.
Me këto ndryshime, synohet që arsimi dhe formimi profesional në Shqipëri të përshtaten më mirë me kërkesat e tregut të punës, duke siguruar që individët të fitojnë kompetencat e nevojshme për një karrierë të suksesshme.
Katalogu Kombëtar i Kualifikimeve Profesionale
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.













