Shkodër – Interes i lartë për Ekonomi-Biznes, 110 të regjistruar deri tani në shkollën “Hamdi Bushati”

Arsim | 1 vit më parë

Shkolla e Mesme Profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër vijon me procesin e regjistrimeve për vitin e ri shkollor 2025–2026.

Ermira Mani, koordinatore e kurrikulës në shkollën profesionale “Hamdi Bushati”, bën të ditur se deri në këto momente janë regjistruar 110 nxënës në tri drejtimet kryesore të shkollës: Hoteleri–Turizëm, Ekonomi–Biznes dhe Tekstil–Konfeksione.

“Ajo çfarë ne vëmë re këtë vit është që trendi i rritjeve të regjistrimeve është në drejtimin Ekonomi-Biznes, gjë që vitet e fundit është ngadalësuar dhe po preferohet gjithnjë e më tepër,” thotë znj. Mani.

Stafi arsimor fton të gjithë nxënësit që të shfrytëzojnë këto ditë për t’u regjistruar dhe për të zgjedhur drejtimet që u përshtaten më shumë.

“Kemi ditë për regjistrim dhe unë i ftoj të gjithë nxënësit përsëri të vijnë të shohin arsimin profesional si mundësinë kryesore në përshtatjen me kërkesat e tregut të punës. Ne shohim që çdo vit e më tepër nxënësit e shkollës ‘Hamdi Bushati’ po punësohen, po u mundësohen praktika profesionale gjatë gjithë vitit shkollor,” thekson koordinatorja e kurrikulës.

Shkolla “Hamdi Bushati” është një ndër institucionet arsimore më të njohura në veri të Shqipërisë për përgatitjen e profesionistëve të rinj në fusha të ndryshme.

Për çdo profil ofrohen kabinete moderne mësimore, laboratorë praktikë dhe bashkëpunime me biznese vendase, duke u dhënë nxënësve mundësinë të zhvillojnë aftësi reale që i përshtaten kërkesave të tregut.

Gazetar: Mirsad Rakaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme