Më shumë kandidatë për studentë, programet e mësuesisë me pak interes për maturantët
Ky vit ka shënuar një numër më të lartë të aplikimeve në institucionet e arsimit të lartë.
Një ditë para nisjes së fazës së parë të regjistrimeve për maturantët që kanë zgjedhur të studiojnë në Shqipëri, rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, deklaron se 60 për qind e tyre i janë drejtuar Universitetit të Tiranës.
“Sivjet janë 500 më shumë që do i drejtohen bankave të universiteteve dhe që, në veçanti, Universitetin e Tiranës e kanë përzgjedhur më shumë këtë vit nga viti i shkuar. Në numër absolut rreth 160 studentë të ardhshëm…” thotë z. Hoxha.
Edhe pse nuk foli për degë që rrezikojnë mbylljen, rektori Hoxha pranon problematikën në rang vendi që kanë disa degë të mësuesisë me një preferencë të ulët të aplikimeve.
“Gjuhët e Huaja, mësuesit e Shkencave të Natyrës dhe disi me ata që lidhen me Histori-Filologjinë, gjuha greke, gjuha ruse kanë vuajtur gjithmonë. Është ulur numri në gjuhë të tjera, në programet e shkencave të natyrës: Kimi, Fizikë. Tregu i punës është delikat. Tregon se ka më shumë prirje për të shkuar në shkenca të tjera sesa në shkencat e mësuesisë,” shprehet rektori Hoxha.
Universiteti i Tiranës është në proces ndërkombëtarizimi dhe falë ofertës akademike është rritur edhe kërkesa, kur sot ka afro 1 mijë studentë që vijojnë studimet brenda edhe jashtë nëpërmjet bashkëpunimeve me disa universitete të njohura europiane.
Gazetare: Elda Lamja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





