Dyndje te Mjekësia, edhe degë me zero regjistrim – Përfundon faza e parë, maturantët jofitues mundësi në raundet e tjera

Faza e parë e regjistrimeve për pranimin në institucionet e arsimit të lartë ka vijuar normalisht.
48-orëshi i parë ka sjell një numër më të lartë të të regjistruarve në Fakultetin e Mjekësisë, i cili sipas statistikave të një viti më parë ezauron pothuajse të gjitha kuotat që në fazat e para të tij. Regjistrimet nisën në orën 8:00 për të vijuar deri në orën 16:00.
Lëvizje më të madhe të maturantëve që iu drejtuan sekretarive përkatëse, për të dorëzuar dokumentet e pranimit në institucionet e arsimit të lartë, pati gjatë orëve të paradites dhe më pak orët në vijim, kjo kushtëzuar edhe nga moti i keq që nisi në mesditë.
Si një nga degët më të frekuentuara, Mjekësia e Përgjithshme ka plotësuar pothuajse pjesën më të madhe të kuotave në dispozicion. Nga 436 gjithsej, kanë mbetur vetëm 33 kuota të lira, ose 7,1 për qind prej tyre.
Ndërsa për sa i takon degës së Shëndetit Publik, në këtë fakultet nuk pati asnjë regjistrim.
Degët e Inxhinierisë në Fakultetin Politeknik të Tiranës e mbyllën fazën e parë të regjistrimeve me përqindje të lartë të kuotave të lira.
Nga Inxhinieria Informatike, nga 126 kuota gjithsej, rezulton të këtë pasur 12 maturantë të regjistruar dhe ka ende 90 për qind të kuotave që pritet të zëvendësohen në fazat e tjera.
Inxhinieria e Telekomunikacionit rezulton me 4 maturantë të regjistruar në fazën e parë, ndërsa i kanë mbetur afro 97 për qind e kuotave të lira.
Në degën e Inxhinierisë Elektrike nuk është regjistruar ende asnjë kandidat.
Fakulteti i Histori-Filologjisë regjistroi në fazën e parë një numër të ulët të kandidatëve aplikues.
Maturantët duhet të jenë të kujdesshëm për të ndjekur uljen e vijës së kuqe, si mundësia për të fituar të drejtën e studimit.
Ky është raundi i parë me 7 faza 48-orëshe, kur maturantët fitues kanë mundësi të regjistrohen deri më 11 shtator. Regjistrimet kryen pranë sekretarive arsimore përkatëse me dokumentacionin përkatës.
Përfundimi i kësaj faze të pranimit, pas shpalljes së listës së parë të fituese që përfshin maturantët me mesataren mbi 9,5, dhe ata ekselentë, është përcaktuese për të tjerë kandidatë në pritje me uljen e vijës së kuqe nga vendet që mund të mbeten bosh.
Pra, për ta fituar një degë kandidatët që janë para në listë duhet ta djegin atë, ndaj çdo maturant duhet të jetë i kujdesshëm për çdo lëvizje në renditjen ku ai ndodhet në listë. Me spostimin e vijës ai ka vetëm 48 orë kohë në dispozicion për t’u regjistruar në fazën pasardhëse.
Ky raund përfshin gjithsej 7 faza dhe në fund është faza e çregjistrimit, për të cilën është caktuar një kohëzgjatje dyditore, nga 12–13 shtator.
Këtë vit aplikuan 20.200 maturantë nga 19.700 që aplikuan një vit më parë.
Çdo rezultat publikohet në kohë reale në portalin U-Albania, ku maturantët në pritje informohen për çdo ndryshim në preferencat e bëra.
Gazetare: Elda Lamja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





