Shpërndarja e teksteve shkollore – Procesi ecën me normalitet, brenda javës mund të përmbyllet

Arsim | 1 vit më parë

Prej një jave ka nisur shpërndarja e teksteve shkollore për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar.

Procesi po ecën me ritme të shpejta dhe parashikohet të përfundojë në fund të kësaj jave, në mënyrë që gjithçka të jetë gati më 8 shtator, kur edhe nis viti i ri shkollor.

Shpërndarja ka nisur në të gjitha shkollat prej datës 25 gusht. Këtë vit, përveç nxënësve të klasave të para, të dyta dhe të treta, do të përfitojnë libra të rinj edhe ata të klasave të pesta, pa qenë nevoja t’i dorëzojnë në fund të vitit.

Ndërsa nxënësit e klasave nga e gjashta në të nëntën, si dhe ata të klasave të katërta, do të marrin tekste në përdorim, të cilat në fund të vitit do të dorëzohen për t’u përdorur nga brezi pasardhës.

Tekstet që merren në përdorim kalojnë gjithmonë nga Komisioni i Vlerësimit në shkollë, i cili vendos nëse do të mbahen në përdorim edhe këtë vit apo jo.

“Nëse tekstet kanë probleme të pariparueshme ose nuk mund të përdoren më, ky komision vendos t’i quajë të pavlefshme. Porositen tekste të reja nga shtëpitë botuese dhe pastaj këto rikuperojnë atë sasi të teksteve që ka dalë jashtë përdorimit,” thotë mësuesja Elmije Novi.

Përfitues nga skema mbështetëse e teksteve falas do të jenë të gjithë nxënësit e shkollave publike 9-vjeçare, si dhe nxënësit e 16 kategorive të veçanta në arsimin e mesëm dhe të lartë.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme