“Ndalohen celularët gjatë orëve të mësimit”, Manastirliu: E kishim si rregull, por do ta zbatojmë me më shumë rreptësi
Ministria e Arsimit dhe Sportit, me një udhëzim të veçantë, ka përcaktuar këtë vit rregullat dhe masat për ndalimin e përdorimit të telefonit celular në shkolla. Nxënësit janë njoftuar që duhet të paraqiten në shkollë këtë vit pa celular, me përjashtim të atyre rasteve të cilat do të shoqërohen me një arsye dhe justifikim nga prindi kujdestar.
“Në këtë vit shkollor, rregulli është i thjeshtë për të gjithë: telefonat nuk duhet të merren në shkollë. Prej disa vitesh ne kemi pasur si rregull që telefonat celularë nuk lejohet të përdoren gjatë orës së mësimit. Por këtë vit shkollor, duke parë përvojën e vendeve të tjera dhe studimet e fundit, po e forcojmë zbatimin e këtij rregulli që të jetë realisht efektiv. Nuk jemi të vetëm në forcimin e masave të ndalimit të përdorimit të telefonave celularë në shkolla edhe vendet europiane i kanë aplikuar këto masa dhe e kanë përforcuar këtë vit këtë rregull. Ne po ecim në të njëjtin drejtim, sepse rezultatet janë të qarta: më pak shpërqendrim, më shumë sukses në mësim, më shumë mirëqenie për nxënësit”, theksoi ministrja në një video mesazh.
Ministrja theksoi se në rastet e justifikuara, telefoni fiket në ambientet e shkollës dhe dorëzohet në klasë sipas rregullit të institucionit arsimor, nga momenti i nisjes së mësimit deri në përfundim të orarit mësimor.
“Në rast të një nevoje të argumentuar nga prindi, në drejtorinë e shkollës, që fëmija të pajiset me telefon, atëherë telefoni fiket, dhe nxënësi e dorëzon sipas rregullit të shkollës në sirtarin apo kutinë e përcaktuar në klasë, nga momenti i nisjes së mësimit deri në përfundim të orarit mësimor. Mësuesi kujdestar dhe drejtoria janë përgjegjës për zbatimin e këtij rregulli. Për raste urgjente, komunikimi me prindin bëhet vetëm me leje ose përmes mësuesit apo drejtorit të shkollës. Roli i mësuesit është të jetë shembull në zbatimin e këtij rregulli,” nënvizon ministrja.
Ministrja Manastirliu sqaron se, nëse ky rregull nuk respektohet në mënyrë të përsëritur, edhe pas masave këshilluese dhe rekomanduese, drejtoria e shkollës vendos për ecurinë e masave të tjera, sipas rregullave të përcaktuara në rregulloren e institucionit edukues.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





