Mjekësia, Arkitektura dhe Informatika më të kërkuarat, përfundojnë dy fazat e regjistrimeve në universitete

Arsim | 1 vit më parë

Mjekësia e Përgjithshme, Arkitektura dhe Informatika kryesojnë këtë vit listën e renditjes së programeve të studimit në dy fazat e para të regjistrimit, duke lënë pas degët klasike si Ekonomiku dhe Juridiku.

Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar (RRASH), Arjan Xhelaj, ka sqaruar se maturantët më të mirë kanë mundur tashmë të bëjnë zgjedhjen e tyre, duke lënë të lira programe të tjera studimi ku kishin rezultuar fitues.

“Ecuria është shumë e mirë. Është dita e pestë e regjistrimeve dhe kemi arritur t’i afrohemi shifrës 50 për qind për të regjistruarit. Degët që kanë të bëjnë me shëndetin, infermierinë dhe me teknologjitë e informacionit, me inxhinieritë, janë dy grupime të mëdha. Ato kanë edhe numrin më të madh të regjistrimeve. Udhëheqin degët që lidhen me shëndetin edhe për faktin që aty është Mjekësia e Përgjithshme, i vetmi program që deri më tani ka ezauruar në masën 100 për qind kuotat në dispozicion. Edhe Arkitektura është në masën 99 për qind,” tregoi z. Xhelaj.

Ai sqaron se në degë të caktuara, si Mjekësia, Stomatologjia apo edhe Arkitektura, ka pasur një rritje të kërkesës për regjistrime edhe në universitetet private.

“Është një kufi maturantësh që e kanë ndarë mendjen dhe kanë mundësi financiare për të studiuar në universitete jopublike. Ata regjistrohen që në fillim. Ka disa universitete, pa i përmendur, të cilat që në dy fazat e para ezauruan një pjesë të mirë të kuotave, mbi masën 50 për qind të regjistrimeve,” tha drejtori i RRASH-it.

Degët e tjera, si mësuesia apo programet dyvjeçare, vijojnë me të njëjtin trend si një vit më parë.

“Degët e mësuesisë kanë një ecuri të mirë. Janë mbi 7,5 për qind, që pak a shumë lidhet edhe me numrin e aplikimeve. Edhe programet 2-vjeçare lëvizin rreth 10-përqindëshit,” tha z. Xhelaj.

Këtë të martë ka nisur faza e tretë e regjistrimeve. Ndërkohë që numri i kuotave kufizohet, maturantët duhet të jenë vigjilentë dhe të regjistrohen në kohë në programin që për ta rezulton fitues.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme