Regjistrimet në klasat e para dhe të dhjeta, Ministria: Prindërit kanë kohë deri në orën 24:00 të 5 shtatorit
Procesi i regjistrimit për arsimin parauniversitar u mbyll, por vetëm për nxënësit e klasave të 1-ra dhe të 10-ta ai do të rihapet të premten, më 5 shtator, duke u dhënë mundësi prindërve të regjistrojnë fëmijët nga ora 08:00 deri në orën 24:00.
“Prindërit kanë pasur gjithë kohën e mjaftueshme për të bërë regjistrimin në gjimnazet që atyre u takon. Ekziston edhe data 5 shtator, kur do u jepet edhe një herë mundësia atyre, të cilët e kanë lënë në momentin e fundit, për të aplikuar pranë gjimnazeve që atyre u takon,” thotë Elsa Sheqi, drejtoresha e shkollës “Petro Nini Luarasi”.
Edhe pse, ashtu si çdo vit, prindërit synuan shkollat popullore dhe me traditë, regjistrimi online përmes portalit e-Albania e kufizoi mundësinë e tyre për të përzgjedhur. Nxënësit u regjistruan vetëm në ato institucione arsimore që u nxirrte sistemi, duke respektuar plotësisht kriterin e vendbanimit.
Në shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi” figurojnë të regjistruar mbi 280 nxënës në vitin e parë të gjimnazit, numër që përkthehet në 9 klasa të 10-ta.
“E-Albania shërben si një lloj rregullatori për të shpërndarë në mënyrë të njëtrajtshme nxënësit, pikërisht aty ku u takon si zonë. ‘Petro Nini’ është një shkollë që pëlqehet, që mbart një emër shumë të madh mbi supe, por mendoj që shkollat 9-vjeçare që ajo mbulon në zonën e saj janë më se të mjaftueshme për të plotësuar nevojat,” thekson drejtoresha.
Për raste të veçanta janë bërë edhe tolerime, por të shoqëruara me një arsye të fortë nga prindi.
“Të gjitha rastet shikohen një pas një, miratohen dhe kalojnë nga ZVA-ja. Pastaj ne i shqyrtojmë nëpër shkolla,” tregon znj. Sheqi.
Prindërit dhe nxënësit do të kenë mundësi të kryejnë regjistrimet e fundit edhe të premten, me qëllim që gjithçka të jetë gati të hënën, më 8 shtator, kur do të nisë viti i ri shkollor.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





