Gjendet pas 80 vitesh në Argjentinë piktura e vjedhur nga nazistët

Një pikturë e rrallë, e grabitur nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, është zbuluar në Argjentinë pas më shumë se 80 vitesh. Vepra e artit “Portreti i një Zonje” nga mjeshtri italian Giuseppe Ghislandi u identifikua në një foto të postuar në një faqe interneti të pasurive të paluajtshme, ku shfaqej e varur në një shtëpi që i përkiste vajzës së një ish-zyrtari nazist.
Sipas autoriteteve argjentinase, shtëpia ishte në pronësi të Patricia Kadgien, vajza e Friedrich Kadgien, një ish-këshilltar i lartë i Hermann Göring, një nga organizatorët kryesorë të plaçkitjeve të artit në Evropë gjatë luftës. Piktura është kthyer tashmë në duart e autoriteteve.
Hetimet zbuluan gjithashtu dy piktura të tjera dhe një koleksion vizatimesh e gravurash të shekullit të 19-të në shtëpinë e motrës së Kadgien. Të gjitha veprat janë nën ekzaminim për të përcaktuar nëse janë pjesë e artit të grabitur gjatë luftës.
“Portreti i një Zonje” ishte pjesë e koleksionit të tregtarit hebre të artit nga Amsterdami, Jacques Goudstikker, koleksioni i të cilit u mor me forcë nga nazistët pas vdekjes së tij. Vepra është e listuar në bazat ndërkombëtare të artit të vjedhur nga nazistët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





