Regjistrimet në Universitetin “Luigj Gurakuqi” -Këtë vit 430 studentë të rinj, drejtuesit e vlerësojnë trendin në rritje
Mbi 430 studentë të rinj janë regjistruar deri më tani në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në tri fazat fillestare të raundit të parë të regjistrimeve. Krahasuar me vitet e kaluara, drejtuesit e Universitetit e konsiderojnë këtë një trend pozitiv dhe premtues për rritjen e numrit të studentëve në vitin e ri akademik.
“Universiteti i Shkodrës është këtë vit në pritshmëri më të mira. Jemi në 437 regjistrime. Shpresojmë që të rinjtë, prindërit të jenë të ndërgjegjësuar që të vish në Universitetin e Shkodrës është një vlerë, edhe për risitë që që ky universitet ka ndër mend të ofrojë për të rinjtë, jo vetëm në këndvështrimin akademik,” thotë Eliana Laçej, zëvendësrektore në Universitetin e Shkodrës.
Zv.rektorja e përjashton mundësinë e mbylljes së ndonjë prej degëve për shkak të mungesës së studentëve, duke pohuar se në një rast të tillë do të ketë mosaktivizim të degëve përkatëse.
Përveç vëmendjes që Universiteti i ka kushtuar punës së bërë me maturantët për orientimin në karrierë, pritshmëritë për një numër më të lartë studentësh mbështeten edhe në zgjerimin e ofertës akademike, që këtë vit ka krijuar më shumë mundësi zgjedhjeje për të rinjtë.
“Këtë vit, përveç programeve aktuale të ciklit të dytë, janë miratuar edhe disa mastera të tipit inovativ, si Infermieria Klinike. Po ashtu kemi pasur edhe një riorganizim të disa programeve master profesional të ciklit të dytë, pra, të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, të cilët kanë kaluar të gjithë në master shkencor. Për të mos harruar edhe ciklin e tretë: dy doktorata, një pranë Fakultetit të Turizmit dhe një pranë Qendrës Albanologjike,” thotë Laçej.
Nga të dhënat e deritanishme, drejtimet më të preferuara vijojnë të jenë ato të shkencave mjekësore, Informatika dhe Fakulteti Ekonomik, duke reflektuar kërkesat e tregut të punës dhe prirjet e brezit të ri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





