Përgatitjet për vitin e ri shkollor, prindërit blejnë artikujt e fundit për fëmijët që u drejtohen klasave
Veç gëzimit për nisjen e vitit shkollor, fillimi i muajit shtator shoqërohet edhe me disa shpenzime më shumë në buxhetin e familjeve shqiptare.
Ashtu siç e do tradita, çdo gjë, duke nisur nga mjetet shkollore, veshjet, por ndonjëherë edhe çanta e shkollës duhet të jetë e re.
“Kemi programuar për të blerë sot fletoret, vizoret dhe gjithë kancelaritë që kanë nevojë fëmijët. Kam dy [fëmijë], por fëmija më i madh i ka të gjitha. I vogli, që është për herë të parë, po i blen nga fillimi,” u shpreh një prind.
“Mësuesja më tha që për klasën e parë të marr librat, fletoret, stilolapsin, vizoren,” tha një prej fëmijëve për mikrofonin e RTSH.
Ndërsa një vajzë tha: “Për nisjen e vitit të ri shkollor kam blerë çantë të re, rroba dhe gjithë pajisjet e tjera që nevojiten për fillimin e shkollës.”
“Për të blerë mjetet kam harxhuar rreth 50 mijë lekë [të vjetër]. Kam harxhuar 50 mijë lekë [të vjetër] edhe për çantën.”
Ne u interesuam në disa prej kancelarive të kryeqytetit, duke marrë çmimin mesatar të çdo produkti, dhe rezulton se për një fëmijë, prindërit duhet të shpenzojnë rreth 15 mijë lekë, duke përfshirë paketën e mjeteve shkollore, çantën, si dhe ndonjë veshje të re për ditën e parë të shkollës.
Në institucionet arsimore është drejt përfundimit shpërndarja e teksteve shkollore. Edhe pse ato janë ofruar falas për nxënësit nga klasa e parë e deri në të nëntën, shumë prindër preferojnë që një pjesë të tyre t’i blejnë të reja.
“Malli me cilësi kërkohet, pastaj është në dorë të klientit. Varet prej buxhetit që kanë përcaktuar për të shpenzuar. Mbështjellja e librave kushton 120 lekë, por kjo është në dorë të klientit, sepse ka edhe alternativa të tjera që janë më të lira,” shprehet një nga administratorët e kancelarive shkollore.
Ndërsa një tjetër thekson: “Përpiqemi që të plotësojmë nevojat e të gjitha shtresave duke pasur parasysh që fillimi i shkollës është pak i rënduar nga pjesa e buxhetit. Për këtë arsye jemi përpjekur të përgatisim edhe paketa të ndryshme, nga ato më ekonomike deri tek paketat më premium.”
Deri në fund të kësaj jave parashikohet që të gjithë nxënësit të jenë pajisur me të gjitha tekstet shkollore dhe familjarët të bëjnë të gjitha blerjet e nevojshme për sa i takon artikujve shkollorë, me qëllim që gjithçka të jetë gati më 8 shtator, kur edhe nis viti i ri shkollor.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





