Ndalimi i celularit në shkolla, Ministria e Arsimit: Do të lejohen vetëm në rastet e justifikuara nga prindi

Aktualitet | 1 vit më parë

Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit i vitit 2018, i cili kërkonte dorëzimin e celularëve në klasë dhe zhvillimin e procesit mësimor pa to, është pasuar nga një udhëzim i ri në vitin 2023 dhe një tjetër për këtë vit të ri shkollor. Sipas udhëzimit të fundit, nuk do të lejohet marrja e aparateve celularë në institucionet shkollore, me përjashtim të rasteve të veçanta.

Të gjithë prindërit janë njoftuar se nxënësit duhet të paraqiten në shkollë pa celularë. Nëse ata kapen me telefon në ambientet e brendshme të shkollës, aparati do të dorëzohet në drejtori dhe do t’u kthehet në fund të orarit mësimor.

“Fëmija nuk ka pse ta ketë telefonin në shkollë, madje edhe në shtëpi duhet ta ketë me orar”

“Është zgjidhja më e mirë e mundshme. Përderisa e sjell fëmijën këtu, i ke besuar institucionit për aq orë sa do të qëndrojë në shkollë. Ndërkohë, mësuesi përgjegjës të mban në kontakt nëse ka nevojë. Mendoj se prindi është i informuar në njëfarë mënyre”,  shprehen disa prindër.

Megjithatë, disa nxënës kanë shprehur rezerva për këtë vendim.

“Nuk duhet të ndalohet fare, sepse unë e kam shtëpinë larg dhe më duhet të komunikoj me prindërit,” nxënësi.

“Po, e kam përdorur telefonin. Kam qenë në shkollë private dhe e mbanin. Nuk lejohej, por sidomos nga fundi e mbanin. Këtë vit jam në shkollë publike dhe do të jetë ose në çantë, ose do ta marrë mësuesi. Nuk e kam problem,” thotë një tjetër nxënës.

Sipas udhëzimit të fundit do të lejohen të marrin telefonat me vete vetëm ata nxënës që janë të justifikuar nga prindërit. Edhe këta te fundit e kanë të detyrueshme t’i mbajnë pajisjet e fikura pa mundësi për të telefonuar apo për të dërguar mesazhe gjatë orës së mësimit.

“Si staf pedagogjik kemi bërë të mundur që çdo nxënës në fillim të procesit mësimor të dorëzojë celularin në një ambient të krijuar në klasë. Në fund të procesit mësimor, nxënësi mund ta marrë,” tregon mësuesi Astrit Mërkuri.

Ministria ka përcaktuar qartë se telefoni nuk lejohet të mbahet edhe gjatë testimeve. Çdo nxënës që kapet me pajisje elektronike gjatë provimit, do të trajtohet si rast i kopjimit dhe do të përballet me masa që shkojnë deri në anulimin e provimit dhe penalizime të tjera disiplinore.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme