Siguria në shkolla me protokolle të reja, Manastirliu: Rrisim numrin e oficerëve të sigurisë dhe psikologëve
Punonjësit socialë, psikologët dhe oficerët e sigurisë në shkolla, këtë vit do të punojnë me një udhëzues të ri, të rishikuar sipas standardeve të përditësuara, për të garantuar një klimë të qetë dhe të sigurt në shkolla. Për të parandaluar dhunën dhe bullizmin në shkolla, pritet të rritet edhe numri i oficerëve të sigurisë .
“Ju jeni kolonat që mbani sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve tanë. Tashmë i kemi të gjitha instrumentat nga njësitë e mbrojtjes së fëmijëve, tek mekanizmat koordinues kundër dhunës e bullizmit, deri te sistemet e informacionit digjital që janë në funksion të punës suaj dhe kontaktit të drejtpërdrejtë. Por ajo që është e rëndësishme, është që ne do të kemi më shumë oficerë sigurie në shkolla.
Këtë vit të ri shkollor, do të kemi më shumë se 390 oficerë sigurie. Po punojmë fort, dhe Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, së bashku me Akademinë e Sigurisë, po trajnojnë të gjithë ata që kanë shprehur vullnetin për t’u bërë pjesë e oficerëve të sigurisë në shkolla. Menjëherë është hapur rekrutimi për fazën e parë, ku më shumë se 60 oficerë sigurie do të jenë në shkolla në datën 8 shtator, dhe pjesa tjetër brenda javës së parë të tetorit.
Pra do të kemi rreth 400 oficerë sigurie në shkolla dhe do të vijojmë të rrisim numrin e oficerë e të sigurisë duke vijuar nga viti i ardhshëm 2026. Kemi sot dhe një përmirësim të raportit të punonjësve socialë dhe psikologëve për nxënësit“, u shpreh ministrja.
Ministrja Manastiriu u ndal te përmirësimet e bëra në modulet dhe protokollet si dhe në mjetet digjitale të punës, duke theksuar rolin e platformës SMIP në menaxhimin e rasteve dhe informacionit në kohë reale.
“Kemi vënë në dispozicion edhe platformën elektronike SMIP për informacionin e shpejtë, për ta aksesuar në kohë reale, informacion i cili jo vetëm mbetet i gjurmueshëm në sistem, i aksesueshëm nga drejtoria e shkollës dhe mësuesit kujdestar, por edhe në arkivën elektronike të shkollës. Plani individual i edukimit për nxënësit duhet të bazohet mbi eksperiencat dhe sjelljet e nxënësit brenda shkollës”, shtoi ajo.
Manastirliu nënvizoi nevojën për bashkëpunim të zgjeruar me komunitetin dhe institucionet mbështetëse. Përgjegjësitë e reja të punonjësve socialë, oficerëve të sigurisë dhe psikologëve, do të zgjerojnë portofolin e ndërveprimit me komunitetin, me njësitë e shërbimit social në territor dhe me njësitë e emergjencës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





