42 vite shërbim në arsim, Muamer Vuci shembull frymëzimi për shumë arsimtarë

Arsim | 1 vit më parë

Muamer Vuci, një emër i njohur në historinë e arsimit në Shkodër, sot 80 vjeç, kujton 42 vite të jetës së tij të lidhura ngushtë me edukimin e brezave.

Karriera e tij nisi në vitin 1965, kur u emërua mësues i matematikës në Bratosh, ndërsa vetëm një vit më vonë, në shtator të vitit 1966, iu besua detyra e drejtorit në zonën e Zagorës. 

“Jeta ime arsimore ka pasur shumë larmi. Pika më e veçantë është Zagora, që unë e quaj ‘Meka e arsimit’. Në Zagorë mblodhëm sherbelë për dy javë dhe e shitëm 280 mijë lekë të vjetër në atë kohë. Ishin baras me 2 mijë lekë për çdo nxënës, se kishte 140 nxënës të tetëvjeçares. Ata u veshën, u mbathën, librat falas, mjetet arsimore falas dhe uniformat e nxënësve falas. Kjo meritë e mësuesve të mrekullueshëm bëri që shpejt të transferohen. Ndër ta isha edhe unë,” kujton z. Vuci.

Nga vitet ’70 deri në vitet ’80, Muamer Vuci ka ushtruar funksionin e inspektorit në Seksionin e Arsimit, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në cilësinë e mësimdhënies dhe në mbështetjen e mësuesve të rinj.

Një ndër momentet më kulmore të karrierës së tij ishte 1 shtatori i vitit 1985, kur u inaugurua shkolla “Ndre Mjeda”, ku ai ishte drejtori i parë, duke e udhëhequr me përkushtim në fillimet e saj.

“Më thirrën dhe më thanë ‘do e lësh Shkollën e Ndërtimit si drejtor dhe do të fillosh punën në shkollën ‘Ndre Mjeda”. Aty fillova më 1 shtator 1985 dhe këtu u bë një nga shkollat më të mira të Shkodrës, por edhe në shkallë republike,” kujton ish-arsimtari.

Me një jetë të tërë kushtuar arsimit dhe formimit të brezave, Muamer Vuci mbetet një figurë e respektuar dhe shembull frymëzimi për shumë arsimtarë.

Gazetar: Mirsad Rakaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme