Parandalimi i ngjarjeve në shkolla, zbatohet “Paketa e sigurisë”, në ndihmë projekti “Smart City”

Arsim | 1 vit më parë

Për të tretin vit radhazi, ministria e Brendshme dhe ajo e Arsimit dhe Sportit do të zbatojnë “Paketën e sigurisë në Shkolla”. Gjatë këtij viti shkollor pritet që puna të lehtësohet edhe nga projekti ‘Smart City”, i cili pritet të zbatohet së shpejti dhe rrugët e qyteteve të monitorohen nga kamera sigurie, përfshirë edhe godinat arsimore dhe perimetrin e tyre të sigurisë.

Këto masa parashikojnë analizën e detajuar të situatës reale të sigurisë në shkolla, identifikimin e masave plotësuese të menjëhershme, si dhe ndërhyrjen e duhur. Synim i saj është që çdo fëmijë të ketë mundësinë të mësojë dhe të zhvillohet në një mjedis të sigurt dhe mbështetës.

Policia e shtetit ka hartuar një program pune, ku specifikohet: Identifikimi dhe përcaktimi i perimetrit të sigurisë së shkollave, parandalimi, goditja e shitjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtja pa leje, si dhe aktet e dhunës apo shfrytëzimi i të miturve, ndëshkimi i shkeljeve të Kodit Rrugor në perimetrin e sigurisë, kontrollin e automjeteve të transportit të nxënësve. Po ashtu, monitorimin e shkollave me kamera sigurie.

“Projekti Smart City, i cili pritet të zbatohet shumë shpejt, pritet të ndikojë për rritjen e nivelit të sigurisë në shkolla”.

Përgjatë vitit 2024 u regjistruan në total 221  konflikte në shkolla apo pranë tyre. 193 të tilla, ose 90 % e tyre, rezultuan mes nxënësve të së njëjtës shkollë ndërsa konfliktet mes nxënësve dhe personave të jashtëm ishin 18.

Policia e Shtetit parandaloi 170 raste të tjera dhune, ndërsa oficeret e sigurisë kanë parandaluar 115 të tilla.

Llojet e zënkave ku janë përfshirë nxënësit e moshave nga 12 deri në 16 vjeç, janë të ndara dy kategori: Konfliktet e hapura dhe të shfaqura si në ambientet e shkollave apo në afërsi të tyre si dhe  problematikat e fshehura, të cilat nuk janë të shfaqura në shkolla, por mund të mbarten brenda dhe jashtë institucioneve arsimore.

Vitin e shkuar shkollor ishin dy raste të rënda, në të cilat u përfshinë nxënës shkollash, të cilët humbën jetë pasi u goditën me thikë nga bashkëmoshatarët e tyre pas konflikteve të nisura në shkolla.

Nxënësi i shkollës së mesme të bashkuar të Pirgut, Erald Xhejo, 14-vjeç, dhe Martin Cani, po 14 vjeç, nxënës i shkollës “Fan Noli” në kryeqytet.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme