Zgjedhja e zanatit të së ardhmes – Shkollat profesionale e nisin vitin e ri shkollor me më shumë nxënës dhe mundësi punësimi

Arsim | 1 vit më parë

Në nisje të vitit të ri shkollor, jo vetëm për nxënësit e klasave të para, por edhe tek ata që ndryshojnë ciklin shkollor, emocionet ndihen po aq.

Veçanërisht për nxënësit e klasave të 10-ta që kanë zgjedhur arsimin profesional, ky rrugëtim i ri është zgjedhja e zanatit të se ardhmes, pa asnjë dilemë.

“Shkolla është shumë e rëndësishme për profesionin që duhet,” shprehet një nxënës.

“Kam zgjedhur [profilin] Kuzhinë, sepse është edhe profesioni im. E kam pasur qejf, pastaj edhe paga, përkushtimi… Të gjitha vijën avash-avash,” shton një nxënës tjetër.

Programi i ri “VET by EHL” në shkollën e Hoteleri-Turizmit u finalizua me certifikimin e 63 nxënësve në tri drejtime. Për ta konsiderohet një eksperiencë e mirë.

“Jam futur në një biznes shumë të njohur dhe kam pasur mundësinë për t’i prekur të gjitha: recepsionin, lavanderinë, shërbimin, banakun. Gjeta veten, mund të them, te pjesa e shërbimit. [Në fillim kisha dilema] shumë. Ia dola! Unë dua të jem e mirë në atë që bëj, të jem e sigurt, që mirëqenia ime të jetë 100%. Kjo gjëja ma bën të mundur,” tregon një nxënëse.

Deri tani numri i regjistrimeve për nxënësit e vitit të parë ka shkuar në 4 mijë, numër i cili pritet të rritet deri në fund të shtatorit me mbylljen e regjistrimeve në datën 30 shtator.

Të dhënat tregojnë se edhe ky vit ka shënuar një numër të lartë kërkesash për sistemin publik në arsimin dhe formimin profesional, që përfshin 41 institucione në të gjithë vendin.

Gazetare: Elda Hasanbelli

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme