36 vite në arsim, mësuesja e rinis me emocion. Emanuela Gega pret brezin e ri dhe të fundit të nxënësve në Milot
Si çdo fillim shtatori, emocionet, buzëqeshjet dhe çantat shumëngjyrëshe pushtuan oborret e shkollave, veçanërisht për vogëlushët që për herë të parë u ulën në bankat e shkollës.
Në shkollën 9-vjeçare në Milot të Kurbinit, e rikonstruktuar së fundmi, atmosfera ishte e mbushur me entuziazëm dhe gëzim.
Mësuese Emanuela Gega prej 36 vitesh kontribuon në arsimin fillor. Me përkushtimin dhe pasionin që e karakterizon, ajo shprehet e lumtur që edhe këtë vit ka mirëpritur një brez të ri nxënësish në klasën e parë.
“Ne jemi mësues që e duam punën. Punojmë me shumë pasion, me shumë vullnet, me shumë dashuri që të arrijmë sukseset të cilat dëshirojnë prindërit, si dhe ne mësuesit,” u shpreh arsimtarja.
Mësuese Emanuela thotë se çdo fillim viti është një emocion më vete, por gjithmonë i shoqëruar me dëshirën për të dhënë më të mirën në edukimin dhe formimin e fëmijëve.
“Unë jam e kënaqur sot… Nuk pata vetëm takimin me prindërit e klasës së parë, por edhe takimin me brezin që ka kaluar në klasën e gjashtë. Erdhën të gjithë nxënësit, të gjithë prindërit. Unë pashë që kishte një mirënjohje dhe respekt për punën që kisha bërë prej pesë vitesh,” tregoi mësuese Emanuela.
Aktualisht, në shkollën e Milotit mësojnë 205 nxënës, një shifër që ka shënuar rënie vit pas viti për shkak të lëvizjes së familjeve drejt zonave më të mëdha urbane apo emigrimit jashtë vendit.
Megjithatë, mësuesit dhe stafi pedagogjik vijojnë me përkushtim të japin maksimumin për edukimin e çdo fëmije, duke mbajtur gjallë shpirtin e kësaj shkolle me traditë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





