Komuniteti egjiptian në Shkodër, në klasën e parë janë regjistruar 170 fëmijë
Fëmijët e komunitetit egjiptian në Shkodër po bëhen çdo ditë e më shumë pjesë e shkollave dhe kopshteve publike, duke ndjekur edukimin krahas bashkëmoshatarëve të tyre.
Arsimi është parë si mundësia më e mirë për integrimin dhe të ardhmen, ndaj prindërit po tregojnë përkushtim për të siguruar që fëmijët e tyre të mos mbeten jashtë procesit arsimor.
Kreu i Shoqatës së Romëve dhe Egjiptianëve në Shkodër, Kydret Shatza, shprehet se këtë vit të ri shkollor, 170 fëmijë të këtij komuniteti janë bërë pjesë e procesit mësimor të klasave të para.
“85 për qind e fëmijëve i kemi në shkollë. Të gjithë familjarët e komunitetit egjiptian organizohen. Presim tash të marrim furnizimin që u është premtuar me çanta e libra. Sivjet janë regjistruar shumë,” thotë z. Shatza.
Megjithatë, sfidat mbeten të pranishme, kryesisht ato të natyrës ekonomike dhe sociale, të cilat shpesh ndikojnë në rrezikun e braktisjes së shkollës.
Për këtë arsye, institucionet arsimore në bashkëpunim me organizata vendore e ndërkombëtare po ofrojnë mbështetje konkrete për familjet, përmes pajisjes me libra, mjete shkollore dhe aktivitete jashtëshkollore.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





