Pesticidet, prodhimi po bllokohet në serra. Fermerët të pakënaqur me grumbulluesit
Në një serrë me 6 tonë speca jeshilë, vjelja duhej të ishte kryer ditë më parë, por bllokimi i një sasie nga Sllovenia ka sjellë bllokimin zinxhir të gjithë prodhimeve shqiptare për eksport.
Pikat e grumbullimit nuk marrin më produkte vendase nga frika e kthimit të mallit, duke dëmtuar fermerët që thonë se duke mos e vjelë produktin, ai është i destinuar të kalbet.
“Kanë dy ditë që pikat e grumbullimit kanë mbyllur qepenat, sepse kanë frikë të marrin produktet tona,” tha fermeri nga Divjaka, Elton Sako.
Fermerët pretendojnë se nuk përdorin asnjë pesticid të ndaluar për bimët dhe ndjekin këshillat e agronomëve. Ata kërkojnë te kryhen kontrolle nga strukturat shtetërore, por jo të bllokohet shitja e të gjitha prodhimeve.
“Shteti t’i kontrollojë. Mos t’i lejojë të vijë. Ato [pesticidet] kanë një libër mbrapa, një fletë, që ne e lexojmë. Si thotë ajo, ne ashtu veprojmë,” u shpreh fermeri Ervis Lapi.
“Është problem kjo pjesë, se të digjemi në këtë moshë për dikë tjetër… Ne kërkojmë që Ministria e Bujqësisë të bëjë diçka,” tha fermeri Indrit Zaka.
Prodhimet bujqësore për eksport kanë kosto të lartë, ndaj sipas fermerëve nuk mund të përdorin vetëm preparate biologjike. Në rastet e pesticideve, për çdo përdorim ata i referohen listës me emra të preparateve te lejuara nga Bashkimi Europian.
“Këto produkte që qarkullojnë të jenë pjesë e listës së PMB-së. Janë institucionet përkatëse të cilat duhet t’i kontrollojnë, edhe farmacitë bujqësore, që këto produkte të mos tregtohen,” deklaroi fermeri Roland Londo.
Divjaka është zona me eksportin më të madh të perimeve drejt vendeve të BE-së. Mijëra tonë speca për momentin janë bllokuar pas kthimit të një sasie speci të kuq nga Sllovenia, që rezultoi nga analizat me përmbajtje të pesticideve të dëmshme.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





