Libohova mirëpret turistë – Oceane dhe Remi, një çift francez që vizitojnë zonën me ruloten e tyre
Libohova vazhdon të mirëpresë turistë të shumtë edhe në stinën e vjeshtës. Qyteti i njohur për peizazhet e tij dhe natyrën e gjelbër tërheq vizitorë vendas dhe të huaj, që zgjedhin të shijojnë një eksperiencë të veçantë larg turizmit masiv veror.
Oceane Drumel dhe Remi Lefebre janë një çift nga Franca që kanë zgjedhur Libohovën për udhëtimin e tyre. Ata vendosën të vizitojnë qytetin në një mënyrë të veçantë, duke udhëtuar me rulotë.
Kjo u mundëson atyre të jenë më afër natyrës dhe të eksplorojnë zona të ndryshme të Libohovës.
“Duke udhëtuar me rulotë, ne kemi lirinë totale, mund të ndalojmë ku të duam. Jemi të lirë të eksplorojmë fshatra të vegjël dhe të jemi më afër natyrës. Është një mënyrë e shkëlqyer për të njohur zonën në ritmin tonë,” – u shpreh Remi Lefebre.
Ndërsa Oceane Drumel theksoi: “Është një eksperiencë shumë e veçantë. Peizazhet janë të mrekullueshme dhe rrugët janë shumë të qeta. Kemi zgjedhur Libohovën sepse kemi vendosur të vizitojmë një qytet të qetë, të bukur dhe të jemi larg turizmit masiv.”
Çifti shprehet i mahnitur nga natyra, rrugët e qeta dhe peizazhet që ofron Libohova gjatë vjeshtës.
“Peizazhet dhe natyra janë të jashtëzakonshme. E kemi shijuar veçanërisht liqenin dhe malet që shihen nga rruga. Ndjehemi shumë të qetë dhe të relaksuar gjatë gjithë udhëtimit.”
“Sigurisht që do ta rekomandonim Libohovën për miqtë dhe familjarët tanë. Është një destinacion i veçantë ku historia dhe natyra bashkohen, dhe padyshim do të kthehemi përsëri për ta eksploruar më tej.”
Përmes këtij lloji udhëtimi, vizitorët përjetojnë qytetin në një mënyrë intime dhe të veçantë, duke e bërë Libohovën një destinacion të preferuar për ata që duan aventura të ndryshme dhe momente relaksuese larg sezonit të verës.
Gazetare: Boralda Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





