Shkolla “Arben Broci” vijon regjistrimet, degët e gjashtë profileve të lidhura ngushtë me tregun e punës

Arsim | 1 vit më parë

Rënia e numrit të përgjithshëm të nxënësve në shkollat e Bashkisë Shkodër për vitin e ri shkollor reflektohet deri më tani edhe në arsimin profesional, ku procesi i regjistrimeve vijon ende.

Në shkollën e mesme “Arben Broci” ky vit ka nisur me rreth 90% të numrit të nxënësve të vitit të kaluar. Megjithatë, sipas drejtuesve të institucionit, pritshmëritë janë që deri në përfundim të afatit të regjistrimeve, numri të jetë më i lartë se një vit më parë.

“Ka një rënie në numrin e përgjithshëm të nxënësve që kanë mbaruar klasën e nëntë të arsimit bazë, por regjistrimet në arsimin e mesëm profesional vazhdojnë deri në fund të shtatorit. Nxënësit që nuk kanë arritur të gjejnë veten në disa shkolla të tjera të klasave të dhjeta deri në fund të dhjetorit kanë të drejtë që të transferohen në bazë të marrëveshjes për arsimin parauniversitar,” thotë Zamir Laçej, drejtues i shkollës profesionale “Arben Broci”, Shkodër.

Vitet e fundit, kjo shkollë është rikonstruktuar dhe zgjeruar, duke u pajisur me laboratorë modernë në gjashtë profile të ndryshme. Degët më të kërkuara edhe këtë vit mbeten “Shërbim mjete transporti”, “Teknologji informacioni”, “Elektrike” dhe “Hidraulike”.

Drejtori i shkollës thekson se një nga avantazhet kryesore të institucionit është lidhja e ngushtë me tregun e punës.

“Në gjurmimin e vitit të kaluar, 19 për qind e nxënësve që kanë mbaruar shkollën e mesme kanë ndjekur studimet e larta. Diku te 60–70 për qind e nxënësve kanë hapur biznese dhe janë punësuar, dhe kemi një rënie drastike nga 26 për qind në 14 për qind të nxënësve që largohen në emigracion,” tregon z. Laçej.

Gjatë këtij viti pritet të nisë zbatimi i një projekti të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, për ta shndërruar gjithë hapësirën e kësaj shkolle në një Qendër Multifuksionale të Formimit Profesional.

Gazetar: Adrian Hoti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme