Cërrik – Fermerët e Selitës përballë sfidave, subvencionet mbajnë gjallë shpresën mes pasigurive dhe mungesës së tregut
Në fshatin Selitë të Cërrikut, bujqësia mbetet burimi kryesor i të ardhurave për shumë familje.
Një prej tyre është edhe Arian Duzha, fermer i cili pas disa vitesh emigracioni ka vendosur t’i rikthehet punës në tokën e tij. Ai tregon se investimi në bujqësi nuk është i lehtë, por është mënyra më e drejtë për të ndërtuar një të ardhme pranë familjes. Fermeri shprehet se pas bllokimit të domateve në tregjet e Kroacisë, shumë tregtarë janë të tërhequr dhe më pak të gatshëm për të blerë produktet e fermerëve shqiptarë.
Kjo situatë ka penalizuar edhe ata që punojnë me ndershmëri dhe respektojnë rregullat, duke krijuar pasiguri për të ardhmen e tyre.
“Shumë jemi trembur nga ajo, sepse i thonë gjithë ky mall. Ne jemi me kredi. Tashti kredia s’di gjë. Vjen data dhe do lekët ai [banka]. Ku të futem?! Unë jam i pastër. Të marrin një domate këtu dhe nëse del me atë [pesticide tej normave] t’i vënë shiritin. Shpresojmë që të marrë rrugëzgjidhje kjo gjë,” thotë z. Duzha.
Fermeri thotë se ka përfituar subvencione nga shteti, ndihmë që e ka lehtësuar sadopak barrën e shpenzimeve dhe i ka dhënë më shumë kurajë për të vijuar punën.
“Kemi qenë jashtë shtetit. Vuajta vetëm. U mërzita vetëm. Familja këtej, vetë andej, thashë ‘po i hyj kësaj me gjithë shokë’. Mora kredi dhe me qejf… Thashë të punoj në vendin tim, tokën time, shtëpinë time,” shprehet fermeri..
Për fermerët e Selitës dhe më gjerë, sfidat janë të shumta, por shpresa për një treg të rregullt dhe të drejtë mbetet shtysa kryesore për të vazhduar punën në tokë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





