Kalaja e Gjirokastrës me rekord vizitorësh – Trashëgimia e jugut mbetet potencial i pashfrytëzuar
Gjirokastra vijon të jetë një nga qendrat më tërheqëse të turizmit kulturor në jug të vendit, me Kalanë historike që ka shënuar rritje të dukshme të vizitorëve përgjatë vitit 2025.
E shpallur pasuri botërore nga UNESCO, fortesa mbetet një pikë referimi për turistët e huaj dhe vendas, duke e forcuar rolin e saj si destinacion kryesor historik e kulturor.
“Gjatë kësaj periudhe kalaja është vizituar nga rreth 210 mijë vizitor, vendas dhe të huaj”, u shpreh Ardis Duka, drejtor në Drejtorinë e Kulturës Kombëtare në Gjirokastër.
Megjithatë, paralelisht me këtë fluks, evidentohen edhe problematika të cilat lidhen me infrastrukturën dhe shërbimet turistike.
Mungesa e shtigjeve të posaçme për vizitë, udhërrëfyesve në disa gjuhë, sinjalistikës moderne, si edhe hapësirave ndihmëse për pushim, transport publik dhe pika informacioni, vijojnë të kufizojnë përvojën e plotë të turistëve.
“Sfidat e menaxhimit apo dhe problematikat që kemi ne si drejtori rajonale është problematikë qendra historike e Gjirokastrës”, tha ai.
Në territorin e qarkut gjenden kisha, ura e shtigje të lashta që ende nuk janë të integruara në ofertën turistike. Zgjerimi i tyre do të sillte përfitime ekonomike për banorët e zonës dhe do të pasuronte më tej diversitetin kulturor e natyror të rajonit.
Gazetar: Enkeleda Domeri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





