Rriten kërkesat për Fakultetin Ekonomik, vetëm 156 kuota të lira për raundin e dytë

Arsim | 1 vit më parë

Informatika Ekonomike dhe Financa janë dy nga programet më të kërkuara nga maturantët këtë vit në Fakultetin Ekonomik.

Dekani i këtij institucioni të arsimit të lartë, Bernard Dosti, sqaron se deri në raundin e parë janë regjistruar 1.044 studentë nga 1.200 kuota të lira në total, duke konfirmuar një rritje të kërkesave krahasuar me një vit më parë për të katër programet e studimit.

“Në përfundim të raundit të parë, neve na ka rezultuar që në Fakultetin Ekonomik, në katër programet që fakulteti ofron: Ekonomiks, Informatikë Ekonomike, Administrim Biznesi dhe Financë, janë realizuar 1.044 kuota, afër 87 për qind e kuotave. Kemi një përqindje shumë të mirë të maturantëve të cilët kanë rezultate shumë të larta. Maturanti i fundit që është regjistruar ka qenë me 9,21 mesatarja e shkollës së mesme në Informatikën Ekonomike. 7,5 është më e ulëta te Administrim Biznesi,” thotë Prof. Dosti.

Të gjitha programet e studimit, përveç gjuhës shqipe, ofrohen edhe në gjuhën angleze, jo vetëm për studentët vendas që dëshirojnë ta ndjekin programin në një gjuhë tjetër, por kjo është parë edhe si një mundësi për të huajt që zgjedhin të studiojnë në Shqipëri.

“Programet që janë në gjuhën angleze, Fakulteti i Ekonomik ka qenë i pari që i ka adaptuar dhe i ka vënë në zbatim. Gjithmonë formohet një grup ku mësimdhënia është në anglisht dhe diploma që marrin është në anglisht,” tregon dekani.

156 kuota që kanë mbetur të lira pritet të plotësohen në raundin e dytë.

“Të katra programet që Fakulteti ofron kanë rritje të numrit të të regjistruarve në raport me një vit më parë. Sot fillon zyrtarisht shkarkimi i të dhënave për raundin e dytë. Nga data 29 shtator deri më 8 dhjetor do të ketë pesë faza për raundin e dytë. Unë jam i bindur se Fakulteti i Ekonomisë do t’i ezaurojë të gjitha kuotat,” shprehet Prof. Dosti.

Ai ka sqaruar se, edhe pse kërkesat janë të mëdha, kuotat kanë mbetur në të njëjtat shifra, me qëllim që të ofrohet cilësia e duhur në mësimdhënie për të gjithë studentët.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme