Projektit CRAD- Ministri i Bujqësisë Andis Salla, pret misionin e Bankës Botërore: Prioritet, bujqësia e qëndrueshme

Bujqësi | 1 vit më parë

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi të enjten një takim me misionin e Bankës Botërore, të kryesuar nga Massimiliano Paolucci, Menaxher i Zyrës së Grupit të Bankës Botërore në Shqipëri, për të diskutuar thellimin e mbështetjes ndaj sektorit bujqësor.

Në fokus të takimit ishte ecuria e projektit madhor CRAD – “Qëndrueshmëria Klimatike dhe Zhvillimi i Bujqësisë”. Ministri Salla dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore ndanë vizionet për avancimin e këtij projekti, duke e cilësuar atë si një shtysë të rëndësishme për modernizimin e sektorit.

Projekti CRAD synon të adresojë disa sfida kyçe të bujqësisë shqiptare, duke përfshirë:

•     Përmirësimin e zinxhirit ushqimor “nga ferma në tavolinë.”

•     Rritjen e vlerës së produkteve bujqësore.

•     Forcimin e sigurisë ushqimore.

•     Garantimin e sistemeve moderne të vaditjes dhe kullimit.

Palët diskutuan masat konkrete që duhet të ndërmerren për të arritur rezultate të qëndrueshme.

Ky bashkëpunim është në përputhje të plotë me vizionin strategjik të Ministrisë “Bujqësia 2030”, i cili ka në qendër fermerin dhe zhvillimin rural të qëndrueshëm.

Sipas njoftimit për shtyp, “takimi theksoi angazhimin e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore për t’i ofruar bujqësisë teknologji moderne dhe praktika të qëndrueshme, duke synuar një sektor më rezistent ndaj ndryshimeve klimatike dhe më konkurrues në tregun rajonal.”

Detajet e projektit CRAD

Projekti konsiderohet si kolona kurrizore për të përmbushur objektivat e strategjisë “Bujqësia 2030”. Në thelb, projekti CRAD është dizajnuar për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë ushqimore dhe ndikimeve klimatike përmes katër shtyllave kryesore:

1.    Përmirësimi i zinxhirit ushqimor “Nga Ferma në Tavolinë”. Ky synim përfshin standardizimin dhe certifikimin e produkteve për të garantuar cilësinë dhe sigurinë ushqimore në çdo fazë të prodhimit dhe shpërndarjes.

2.    Rritja e vlerës dhe markës së produkteve.  Përmes integrimit të teknologjive moderne, projekti do të mbështesë fermerët që të rrisin jo vetëm sasinë, por sidomos vlerën e shtuar të prodhimeve të tyre, duke ndihmuar në konkurrueshmërinë në tregjet rajonale.

3.    Forcimi i sigurisë ushqimore. Ky komponent synon ngritjen e kapaciteteve laboratorike dhe kontrollit të cilësisë, duke siguruar që konsumatori të ketë akses te produkte të sigurta dhe të certifikuara.

4.    Modernizimi i sistemeve të vaditjes dhe kullimit. Duke qenë se klima po bëhet gjithnjë e më sfiduese, CRAD synon investime kapitale në infrastrukturën kritike të ujit, duke garantuar menaxhim efikas të burimeve ujore dhe rritje të qëndrueshmërisë së prodhimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme