“Arratisje” ne shtigjet e Divjakë- Karavastasë, 600 mijë turistë vendas dhe të huaj vizituan Parkun Kombëtar
I njohur për bukuritë natyrore, gjithmonë një atraksion turistik, jo vetëm për vendasit por edhe për të huajt, shtigjet e parkut kombëtar Divjakë- Karavasta këtë fundjavë janë populluar nga vizitorë të shumtë. Veçanërisht “Shtegu i Pelikanit” që zgjatohet mbi 3 km ofron pamje mahnitëse në habitatin e të cilit rriten lloje të ndryshme të shpendëve të egër. Shumë nga të rinjtë pjesë e këtij eksplorimi natyror, që morën shtegun në këmbë thonë se kontakti me natyrën nuk krahasohet me asnjë pamje nga ekranet e celularëve.
“Për mua ka qenë një udhëtim shumë i bukur”, u shpreh një i ri.
“Është diçka shumë e mirë për brezin tonë, marrim energji nga natyra, nga vendi që na rrethon”, tha një tjetër.
Jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për ata që e kanë vizituar laguna e Karavastasë që përfshin 42 km katror është vendi i vetëm ku ngrenë foletë e tyre pelikani kaçurrel dhe flamingot.
“Shtigjet e parkut po frekuentohen shumë nga vizitorët vendas, por edhe të huaj”, tha Fotjon Prençi, drejtor i ARZM, Fier.
Ecja në natyrë përgjatë shtigjeve të parkut konsiderohet shplodhëse për të gjithë ata që bëhen pjesë e saj. Por ajo për të cilën bashkia e qytetit bën thirrje është ruajtja e natyrës nga keqbërësit dhe sensiblizim për ta mbajtur pastër nga mbetjet.
“Ndërhyrjet brenda parkut bëhet me shumë kujdes, me shumë delikatesë. Prandaj, ajo që po bëjmë është mirëmbajtja e këtyre shtigjeve. Këtë dëm nuk na e bëjnë turistët e bëjmë ne vetë, ndaj i lutem të gjithëve që të bëjnë kujdes”, tha kreu i Bashkisë së Divjakës, Josif Gorrea.
Sipas të dhënave, deri më tani ky park kombëtar është vizituar nga afro 600 mijë turistë vendas dhe të huaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





