Kumbaro: Shkolla, si hapësirë për artin dhe nxitjen e kreativitetit. Në fokus programi “Art dhe Zeje”

Arsim | 11 muaj më parë

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, zhvilloi një takim me drejtuesit e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar të Fierit dhe përfaqësuesit e Zyrave Arsimore Vendore, ku theksoi disa prej prioriteteve të vitit të ri shkollor, duke vënë në qendër programet që nxisin kreativitetin, frymën komunitare dhe bashkëpunimin mes shkollës dhe familjes.

Në fjalën e saj, ministrja Kumbaro nënvizoi se Ministria e Arsimit ka nisur zbatimin e masave të reja që nga fillimi i vitit shkollor, përfshirë zbatimin e Kodit Etik për mësuesit dhe rregullin e rreptë për mosmbajtjen dhe mos përdorimin e celularëve nga nxënësit gjatë orëve të mësimit.

“Kemi nisur vitin shkollor me masa të reja, duke filluar nga zbatimi i Kodit Etik për mësuesit, si dhe me rregullin e rreptë për mosmbajtjen dhe mos përdorimin e celularëve nga nxënësit gjatë orëve të mësimit. Gjithashtu, kemi programe të reja që lidhen me përhapjen gjithnjë e më të gjerë të teknologjisë dhe informacionit në shkolla, ku kemi filluar zbatimin e kurrikulave të reja për klasat 1-4”, tha Kumbaro.

Në lidhje me programin “Art dhe Zeje”, Kumbaro theksoi se ai do të ndërtohet mbi bazën e pasioneve dhe prirjeve të nxënësve, të identifikuara nga mësuesit, familjes dhe vetë shkollat, për ta bërë procesin sa më tërheqës dhe përfshirës.

“Lëndë me karakter kombëtar, si “Edukata Qytetare”, duhet pasur në vëmendje për të mos u trajtuar më si lëndë dytësore. Po ashtu, “Arti dhe zejet”, Programi “Qendër komunitare”, dhe Programi “Bëjmë detyrat e shtëpisë” janë iniciativa që Ministria e Arsimit i ka ndërmarrë përtej aspektit të disiplinës, me qëllim krijimin e një fryme bashkëpunimi mes komunitetit, familjeve dhe aktorëve të tjerë lokalë si bashkëpunëtorë të shkollës. Në lidhje me programin “Art dhe zeje”, po punojmë që, në bashkëpunim me mësuesit dhe shkollat, të identifikojmë se cilat janë veprimtaritë që u pëlqejnë më shumë fëmijëve, dhe mbi këtë bazë do të ndërtojmë mënyrën e zbatimit të programit”, tha ministrja

Kumbaro veçoi gjithashtu suksesin e programit “Ekipet sportive”, i cili do të zgjerohet edhe pas orëve të mësimit, për t’u krijuar fëmijëve më shumë hapësira edukative dhe për t’i mbajtur të angazhuar në aktivitete zhvillimore.

“Programi “Ekipet sportive” ka qenë ndër më të suksesshmit, dhe synojmë ta zgjerojmë edhe pas orëve të mësimit, për t’u dhënë mundësi prindërve më shumë hapësirë, ndërsa ne t’i mbajmë fëmijët më gjatë në programe edukative, ku qëllimi nuk është vetëm nota, por edhe fryma bashkëpunuese”, tha ajo.

Ajo shtoi se një tjetër prioritet mbetet zgjerimi i përdorimit të teknologjisë dhe informacionit në shkolla, si dhe pajisjen me laboratorë dhe biblioteka.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme