“Mirëmëngjes Shqipëri” – Lini, destinacion i njohur ndërkombëtarisht pas statusit UNESCO
Lini, një nga fshatrat më të njohura të Pogradecit për palafitet e tij, ka marrë së fundmi një status të veçantë nga UNESCO, që e bën këtë destinacion më të njohur dhe të mbrojtur ndërkombëtarisht për trashëgiminë kulturore. Ky titull i akorduar ka rritur vëmendjen për Linin si një destinacion turistik dhe ka sjellë mundësi të reja për zhvillimin e turizmit në këtë zonë.
Loridela Beqari, Përgjegjëse e Turizmit në Bashkinë e Pogradecit, theksoi se ky titull ka një rëndësi të madhe për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. “Lini do të jetë i njohur jo vetëm në arenën kombëtare, por dhe në atë ndërkombëtare”, u shpreh ajo gjatë një interviste pwr emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH1.
“Lini është i njohur jo vetëm për pjesën e palafiteve aty por edhe për titullin që i është akorduar së fundmi. Ky titull e bën me një status më të lartë për sa i përket UNESCO-s dhe mbrojtjes që ka ky institucion ndaj këtyre prioritetet që lidhen drejtpërdrejt me trashëgiminë kulturore. Tashmë Lini do të jetë shumë i njohur për sa i përket jo vetëm arenës kombëtare por dhe asaj ndërkombëtare”, u shpreh Beqari.
Po ashtu, Beqari informoi se janë bërë zbulime të reja arkeologjike në zonën e Linit, ku janë gjetur objekte që dëshmojnë periudhën e hershme të jetesës në palafite. Kjo ka sjellë një rritje të interesit për zonën, si dhe investime në bujtina dhe infrastruktura, që po ndihmojnë në krijimin e mundësive për punësim për banorët lokalë.
“Kohët e fundit pala nga ana e Shqipërisë kanë pasur disa projekte për sa i përket zbulimeve arkeologjike për sa i përket Linit. Janë zbuluar disa objekte të cilat tregojnë periudhën e hershme në pjesën e palafiteve. Në fshat për banorët janë krijuar me shumë mundësi punësimi për sa i përket turizmit por dhe investime te ndryshme që janë kryer në bujtina që tërheqin turist të ndryshëm. Për sa i përket statistika që ne kemi hulumtuar në bazë të elementeve të ndryshëm që thithin turist ka pasur një rritje me 30% më shumë në krahasim me vitet e kaluara”, theksoi ajo.
Sipas të dhënave të Bashkisë së Pogradecit, numri i turistëve ka pësuar një rritje prej 30% krahasuar me vitet e kaluara, duke e bërë Linin një nga destinacionet më të vizituara në rajon.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





