Më shumë libra për të verbërit, miratohet aderimi i Shqipërisë në Traktatin e Marrakeshit, Pipa dhe Kuko: Hap i domosdoshëm për edukimin gjithëpërfshirës

Arsim | 10 muaj më parë

Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme i ka hapur rrugë zyrtarisht aderimit të Shqipërisë në Traktatin e Marrakeshit, një instrument ndërkombëtar që synon të thyejë barrierat e leximit për personat e verbër dhe ata me vështirësi në shikim.

Në mbledhjen e radhës, të drejtuar nga zëvendëskryetarja Bora Muzhaqi, komisioni shqyrtoi dhe miratoi projektligjin që ratifikon këtë traktat të vitit 2013.

Barazia në akses dhe edukim

E pranishme në komision për të mbrojtur projektligjin, zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa, e cilësoi këtë nismë si një hap vendimtar për barazinë sociale.

Sipas zv/Ministres Pipa, aderimi në këtë traktat sjell avantazhe të drejtpërdrejta: “Ky instrument ligjor përmirëson ndërgjegjësimin dhe adreson sfidat me të cilat përballet komuniteti i personave të verbër. Ai mundëson që vendet anëtare të vënë në zbatim lehtësira konkrete për aksesueshmërinë ndaj veprave të mbrojtura, duke avancuar kështu aksesin në edukim dhe arsim.”

Nevoja për materiale të përshtatura

Relatorja e çështjes, Romina Kuko, u ndal te rëndësia praktike që ky ligj ka për sistemin arsimor. Ajo theksoi se institucionet arsimore shpesh e kanë të pamundur të ofrojnë shërbime cilësore pa pasur materiale të formatuara posaçërisht për këtë kategori.

“Qasja në materiale arsimore dhe edukative në formate të aksesueshme është e domosdoshme. Traktati i Marrakeshit përmirëson disponueshmërinë e këtyre materialeve, duke bërë të mundur që personat me aftësi të kufizuara në lexim të integrohen plotësisht në jetën kulturore e shoqërore,” u shpreh Kuko.

Projektligji, i cili përbëhet nga 22 nene, u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi nga anëtarët e Komisionit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme