Zbulimi i rrallë në Egjipt fakton shkrimet antike. Varka e humbur e Aleksandrisë gjendet pas 2 000 vitesh nën ujë

Një varkë e lashtë egjiptiane, e përdorur dikur për argëtim, është zbuluar pranë brigjeve të Aleksandrisë, duke shkaktuar entuziazëm tek arkeologët. Ekzistenca e saj ishte përmendur më parë nga historiani grek i shekullit të parë, Straboni, dhe gjetja e saj ka konfirmuar përshkrimet antike.
Varka, që daton nga gjysma e parë e shekullit të parë, është 35 metra e gjatë dhe ka një kabinë qendrore të dekoruar në mënyrë luksoze, me anët e rrumbullakëta, e ndërtuar për të ofruar komoditet dhe argëtim. Ajo u gjet pranë ishullit të zhytur Antirhodos, një pjesë e Aleksandrisë së lashtë, qyteti që në antikitet njihej për pallatet, tempujt dhe Farosin, një nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë.
Straboni kishte shkruar se këto anije luksoze përdoren nga oborri mbretëror për ekskursione dhe festa publike: “Çdo ditë dhe çdo natë është e mbushur me njerëz në anije që luajnë flaut dhe kërcejnë në shthurje ekstreme.”
Gërmimet janë kryer nga Instituti Evropian për Arkeologjinë Nënujore (IEASM) nën drejtimin e Franck Goddio, profesor vizitor në Universitetin e Oksfordit, i cili tha se “është hera e parë që një varkë e tillë është zbuluar në Egjipt. Ato varka janë përmendur nga autorë të ndryshëm të lashtë dhe shfaqur në ikonografi, por një varkë reale nuk ishte zbuluar më parë.”
Varka u gjet 7 metra nën ujë dhe ky zbulim i rrallë ofron një dritare të jashtëzakonshme në jetën luksoze dhe aktivitetet sociale në Aleksandrinë të lashtë dhe pasuron njohuritë tona mbi historinë detare të Egjiptit antik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





