Prezantohet “EuroAgro Albania”, Rama: Fermerët të përgatiten për sfidat nga anëtarësimi në BE. Synojmë mbështetje për bujqësinë deri në 100 milionë euro

Bujqësi | 10 muaj më parë

Shqipëria ka hapur një kapitull të ri për bujqësinë, pas çeljes zyrtare të negociatave me Bashkimin Europian për Grup-Kapitullin V, në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare të 17 nëntorit.

Në këtë kuadër u prezantua platforma “EuroAgro Albania 2025–2030”, një mekanizëm praktik për përgatitjen hap pas hapi të sektorit bujqësor drejt anëtarësimit në BE. Platforma do të funksionojë si një mjet digjital dhe asistent virtual në Portalin e Fermerit, duke ofruar informacion mbi standardet europiane, afatet, detyrimet dhe mundësitë e mbështetjes financiare.

Kryeministri Edi Rama theksoi se përballja e bujqësisë shqiptare me tregun europian ka dy anë, sfidën dhe mundësinë. Sipas tij, negociatat dhe anëtarësimi në BE nuk janë procese formale, por një “kontratë shtetërore shumë komplekse”, veçanërisht për bujqësinë, ku standardet e cilësisë dhe sigurisë ushqimore janë ndër më të lartat.

“Bujqësia shqiptare të përballojë sfidën e tregut evropian ka dy anë, ka anën e saj të errët dhe anën e saj të ndritur. Ana e errët është ajo që pret çdokënd prej jush që nuk është i përgatitur për atë ditë, negociatat me BE dhe marrëveshja e anëtarësimit nuk janë fjalë dhe as procese të lidhura me çfarë shkruajmë në letër, por kontratë shtetërore shumë komplekse ku çdo fakt duhet t’i përgjigjet kontratës. Kontrata për bujqësinë është më e  vështira lidhur me standardet dhe kontrollet dhe cilësinë shumë të lartë të sigurisë së produkteve për të qenë lojtar në tregun e bashkuar evropian. Unë besoj shumë te të gjithë ata që një dekadë më parë përballeshin me një sfidë mbijetese të jashtëzakonshme. Kush ka kaluar atë sfidë do kalojë edhe këtë. Sot produktet tona shkojnë në 80 vende të punës dhe eksportet kanë kaluara gjysmë miliardë euro dhe raporti eksport import ka shkuar në 1:3 dhe tentojmë ta çojmë në 1:2.”, tha Rama.

Rama nënvizoi se për fermerët sfida kryesore do të jetë përmbushja e standardeve për cilësinë, përmes teknologjisë, digjitalizimit dhe organizimit më të sofistikuar.

“Për fermerët është një kontratë që kërkon standarde dhe cilësi, kërkon teknologji dhe digjitalizim, kërkon organizim të sofistikuar dhe mbështetje që do vij duke u rritur vit pas viti. Me rritjen e mbështetjes së drejtpërdrejtë që duam ta çojmë deri në 100 milionë euro, me mbështetjen e Bankës së Zhvillimit do vëmë në dispozicion të bujqësisë shqiptare një fakt: për askënd nuk do të jetë çështje fondesh, por çështje e parketit të duhur dhe e garancive të duhura të dijes për zbatimin e projektit’, tha ai.

Qeveria synon rritjen e mbështetjes së drejtpërdrejtë për bujqësinë deri në 100 milionë euro, si dhe të zhvillojë gjatë kësaj kohe sistemin e integruar të administrimit dhe kontrollit, regjistrin kombëtar të femrave, parcelave dhe kafshëve si dhe ndërtimi i laboratorëve të akredituar nga BE

“Platforma kombëtare që prezantohet sot, “Euro Agro Albania” nuk është një faqe e re interneti, por një instrument të cilin të gjithë fermerët duhet ta përdorin për të rritur cilësinë, fondet dhe zhvillimin e tyre. Në çdo hap të procesit të negociatave, është një burim informacioni për standarde, afate dhe detyrime konkrete, është një kanal dialogu për problematika të ndryshme, është edhe një mjet koordinimi që garanton mes jush dhe nesh ka ndërveprim të vazhdueshëm. Ne do të bëjmë sistemin e integruara të administrimit dhe kontrollit, do bëjmë regjistrin kombëtar të femrave, parcelave dhe kafshëve, do ndërtojmë laboratorët e akredituar nga BE”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme