Bilancet e para të dëmeve në bujqësi, Agjencia Rajonale Bujqësore: Në Lushnjë, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër 1859 fermerë të dëmtuar
Afro 1 860 fermerë në rajonin Lushnje- Fier- Vlorë- Gjirokastër rezultojnë të kenë pësuar dëme në ekonomitë e tyre nga përmbytjet e këtyre ditëve.
Në fshatin Hingë të Dimalit rreth 100 hektarë me mandarina janë ende në pushtetin e ujit, që nga reshjet e nëntorit dhe dhjetorit. Në këto kushte jo vetëm prodhimi i këtij viti ka shkuar dëm, por rrezikojnë dhe pemët mbi 20-vjeçare.
“Kemi një muaj e gjysmë. Nuk është se ne përmbytemi një herë nga lumi, por po përmbytemi një herë në 2 apo 3 ditë. Kjo nuk është faji i natyrës, por ka të bëjë me diçka tjetër se nuk ka mundësi”, tha një fermer i prekur.
Në serat bujqësore të fshatit Goriçan fidanët e përmbytur nga uji kanë ngrirë nga ulja e menjëhershme e temperaturave. Ky fermer thotë se nga reshjet e fundit i janë përmbytur 2 dynymë e 800 metra të mbjella
“Kam 4 mijë bimë këtu, i thonë mbi 2 milionë vetëm fara e specit. Po domatja, vajti 3.5 mln lekë vetëm fidani lërë të tjerat”, tha një fermer.
Ndërsa ende vuajnë pasojat e reshjeve të nëntorit dhe dhjetorit, nuk u shpëtuan as përmbytjeve të këtyre ditëve:
“Lumi Seman të paktën këtë javë nuk është tërhequr fare”, tha fermeri.
Nga reshjet dhe vërshimet e janarit në rajonin Lushnje-Fier- Vlorë- Gjirokastër janë dëmtuar 1 859 fermerë. Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia Rajonale Bujqësore e këtij rajoni nga verifikimet e deritanishme mbi 4 mijë hektarë me të mbjella rezultojnë të përmbytura, pjesën më të madhe të të cilave; 1 810 ha ishin të mbjella me foragjere e 1 330 me drithëra.
Dëmet janë shtrirë dhe në kafshë e shpendë. 56 gjedhë, 12 krerë të imta, 5 mijë shpendë, 75 koshere bletësh dhe 4 stalla rezultojnë të mbytura.
Gazetare: N. Spahiu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





