“Thesari” i shqipes, risia e platformës online e “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”
Një nga platformat më të reja online, ai i “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”, u vu në dispozicion të përdoruesve pak ditë më parë. Duke ofruar këtë qasje të re, për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, 105 mijë fjalë-tituj të këtij fjalori erdhën si domosdoshmëri në kohën kur për shqiptarët nuk ka më kufij të mbyllur.
Valter Memisha, Drejtor i Institutit të Gjuhësisë, u shpreh për RTSH se “Kemi fjalë që nga vepra Meshari i Gjon Buzukut, të cilat nuk kishin zënë vend në vepra të tjera. Pranë Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë ekziston ajo që quhet kartoteka e leksikut të shqipes, ku janë skeduar rreth 5 milionë fjalë. Vepra sot ka rreth 125 mijë njësi, nga këto 105 mijë janë fjalë-tituj, rreth 3500–4000 janë fjalë që quhen ‘fjalë të fshehta’. Ka gjithashtu 12.500 njësi frazeologjike dhe rreth 5 mijë emërtime të papërhershme të fjalëve; si p.sh. . ‘pension i parakohshëm’.”
Sipas Memishës, nuk ka hapësirë mbarëkombëtare që të mos ketë zënë vend në këtë fjalor, i cili ia kalon për nga vëllimi fjalorëve pararendës:
“Janë shfrytëzuar rreth 520 fjalorë. Është shfrytëzuar vepra e Rexhep Qoses dhe dhjetë vëllime të veprës së Sabri Hamitit, veprat e të gjithë shkrimtarëve më në zë, nga Azem Shkreli e deri te Podrimja. Është shfrytëzuar e plotë vepra e Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Fatos Arapit, si edhe disa botime të arbëreshëve të Italisë.”
Fjalori ka si qëllim të edukojë normën gjuhësore, ndaj është lënë një hapësirë për oponencë dhe sugjerime nga përdoruesit gjatë një periudhe nëntëmujore.
“Fjalori është quajtur maket sepse ka probleme të tilla që mund të hiqen, ka fjalë që mund të kenë paplotësi,” – tha Memisha.
Leksiku i botës fetare është pasuruar ndjeshëm, ndërsa fjalët e huazuara nga bota perëndimore i janë shtuar numrit të njësive që përmban fjalori.
Gazetare: E. Hasanbelli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





