Raporti i KLSH: 334 shkolla pa psikologë. Problematika më e madhe, kryesisht në zonat rurale
334 shkollave ne vend, pra rreth 1/4 e institucioneve arsimore nuk kanë punonjës sociale apo psikologë. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit referon problematika kryesisht në shkollat e zonave rurale, ku në një pjesë të mirë të tyre shërbimi psiko–social mungon tërësisht.
Edhe pse numri i psikologëve dhe punonjësve social ka trend rritës gjatë periudhës 2014 -2024 rezulton se për disa zyra vendore arsimore si Finiq-Dropull, shërbimi psiko-social mungon plotësisht, ndërsa në zona të tjera si Selenicë dhe Tepelenë-Memaliaj, një punonjës i vetëm mbulon përkatësisht 18 dhe 14 shkolla.
Raporti evidenton se numri më i lartë i shkollave të pambuluara janë të përqendruara kryesisht në jug të vendit dhe në zona rurale, aty ku distanca nga qendrat urbane janë të mëdha, duke kufizuar aksesin dhe cilësinë e shërbimit për nxënësit në shumë shkolla.
Edhe kushtet infrastrukturore mbeten problematike. Psikologët detyrohen ta ofrojnë shërbimin në ambiente që nuk janë të dedikuara, por ndahen me oficeret e sigurisë apo mjekët e shkollës, duke ndikuar negativisht në cilësinë e shërbimit.
Një tjetër problematike lidhet me mbështetjen e nxënësve me aftësi të kufizuara. Institucionet arsimore parauniversitare nuk sigurojnë mbulim të plotë për këtë kategori, ndonëse kuadri rregullator parashikon shtimin e një punonjësi psiko-social për çdo 10 nxënës me aftësi të kufizuara. Raporti evidenton 4686 nxënës me aftësi ndryshe, të cilët nuk marrin asnjë mbështetje psiko-sociale.
KLSH rekomandon Ministrinë e Arsimit, që në bashkëpunim me strukturat e varësisë, të ndërmarrë një analizë të plotë vlerësuese të shpërndarjes aktuale të punonjësve të shërbimit psiko-social si dhe të zbatojë një plan ndërhyrjeje për mbulimin e zonave kritike, ku mungon ose është e kufizuar prania e shërbimit psiko-social.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





