“Pallati i mallkuar” i Venecias në shitje/ Gazetarja zbulon prapaskenat se pse askush nuk guxon të banojë aty: Vlera e tij 18-20 mln euro
E përditshmja italiane “La Repubblica” ka rikthyer në qendër të vëmendjes misterin e pallatit Ca’ Dario, duke njoftuar se “godina e mallkuar” e Venecias është sërish zyrtarisht në shitje. Ky lajm pason një sërë tentativash të dështuara ndër vite për të gjetur një blerës që guxon të sfidojë legjendën e errët që rrethon këtë kryevepër të Rilindjes.
Në një intervistë për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, gazetarja shqiptare Alba Kepi nga Roma ka zbardhur detaje magjepsëse mbi këtë pronë, e cila përfaqëson një paradoks të vërtetë: një simbol i stilit “Made in Italy”, por që askush nuk guxon të banojë aty.
Pallati, një nga xhevahiret e arkitektit Pietro Lombardo u ndërtua në vitin 1487. Gazetarja Kepi bën me dije se që prej vitit 2006, pallati zotërohet nga një shtetas amerikan, identiteti i të cilit mbetet mister. “Ai nuk e ka komunikuar kurrë identitetin e tij, pikërisht për shkak se nuk donte të përfshihej në legjendën e këtij pallati. Deri më sot nuk ka banuar kurrë në të dhe as nuk e ka dhënë me qira”, shpjegon Kepi.

Sot, kjo pronë me mbi 1000 metra katrorë, 15 dhoma gjumi dhe 8 banja, ka dalë në ankand nga shtëpia prestigjioze Christie’s. “Ky pallat rikthehet në kronikën e ditës sepse vlera e tij është mjaft e lartë, flasim për 18-20 milionë euro”.
Mallkimi i Ca’ Dario-s nuk është thjesht një legjendë urbane, por një varg ngjarjesh tragjike që nisi me pronarin e parë. “Giovanni Dario ka qenë sekretar i senatit të Republikës Veneciane me një rol të rëndësishëm si shpëtimtar i atdheut sepse thuhet që ka qenë ndërmjetës i nënshkrimit të Traktatit të Kostandinopojës. Këtë pallat ia la në pajë vajzës së tij Marietta, e cila martohet me Vincenzo Barbaro, një sipërmarrës i njohur, por që shkon në falimentim ekonomik dhe e vrasin. Pas vdekjes së tij, edhe bashkëshortja vetëvritet duke u hedhur në Kanalin e Madh të Venecias. Thuhet se edhe djali i tyre i dytë është vrarë në një atentat në Greqi.”
Ky ishte vetëm fillimi i një serie vdekjesh. Në listën e viktimave të “mallkimit” është edhe një tregtar armen gurësh të çmuar që kur u bë pronar i pallatit përfundoi në rrënim financiar.
Kepi sjell në vëmendje edhe historinë e menaxherit të grupit legjendar The Who, Christopher Lambert, i cili falimentoi ndërsa kishte pronësinë e pallatit. “Thuhet se ndërsa Lambert e kishte në pronësi këtë pallat, aty shkon për të kaluar disa ditë pushimesh bateristi i grupit, i cili humbet jetën pas një problemi shëndetësor”.
Pavarësisht famës së keqe, Ca’ Dario mbetet një magnet për artin. Ai është përjetësuar në tablotë e Claude Monet dhe ka shërbyer si sfond për mjaft skena filmi e poezi botërore. Fasadat e tij me mermer shumëngjyrësh që reflektohen në Kanalin e Madh e bëjnë atë një nga godinat më magjepsëse në botë.
Pyetja që ngre sot opinioni publik në Venecia është: A do të mbyllet kjo shitje? Siç shprehet Kepi, vendasit janë skeptikë. Çdo 2-3 vite, lajmi i shitjes rikthehet, por blerësit potencialë shpesh tërhiqen në momentin e fundit, të mposhtur nga frika e një legjende që prej pesë shekujsh nuk njeh mëshirë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





