Trajnimi i mësuesve në Shkodër, trajnimet në fokusin kryesor të ZVA në bashkëpunim me UNISHK

Arsim | 8 muaj më parë

Forcimi i bashkëpunimit mes arsimit të mesëm dhe atij universitar mbetet një nga prioritetet kryesore të Zyrës Vendore të Arsimit në Shkodër edhe për vitin 2026.

Në këtë kuadër, trajnimi i mësuesve zë një vend të veçantë, si një proces që synon rritjen e cilësisë së mësimdhënies në të gjitha ciklet e arsimit parauniversitar.

Drejtorja e Zyrës Vendore të Arsimit, Birsela Kadija, thotë se në fokus të këtij bashkëpunimi është përfshirja aktive e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, i cili ofron trajnime falas për të gjithë mësuesit e interesuar.

“Ajo që ne kemi pasur prioritet gjatë vitit 2025 ka qenë fakti që kemi synuar shumë që të ndjekim prezencën dhe t’i ofrojmë secilit nga mësuesit mundësi që të jenë pjesë e këtyre trajnimeve edhe pse për arsye të ndryshme nuk kanë arritur ta ndjekin në datën e caktuar.” – tha Birsela Kadija.

Sipas drejtores Kadija, edhe gjatë vitit 2026, trajnimet për mësuesit e të gjitha cikleve të arsimit parauniversitar në Shkodër do të realizohen nga universiteti mbi bazën e një grafiku të përcaktuar, sipas profileve përkatëse dhe me prioritet për lëndët kryesore.

“Do vazhdojnë trajnimi i mësuesve nga Universiteti i Shkodrës. Janë trajnime që mësuesve iu ofrohen falas por kemi dhe privilegjin që mësuesve tanë t’i japim mundësinë që dhe të përcaktojnë atë që kanë nevojë vërtetë dhe çfarë mund të kemi ne mundës.”

Bazuar në programin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, me qëllim rritjen e kapaciteteve profesionale të mësuesve në fushat prioritare, gjatë vitit të kaluar Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka trajnuar, në dy faza, rreth 125 grupe mësuesish të të gjitha cikleve të arsimit parauniversitar, jo vetëm nga Shkodra, por edhe nga bashkitë Lezhë, Pukë dhe Kukës.

Gazetar: A. Hoti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme