Dëshmoi në Gjykatën e Hagës, flet ish-zv.komandanti i UÇK-së: Nuk i ikim drejtësisë, por jo procese politike

Kosova shënoi 18-vjetorin e Pavarësisë me aktivitete festive, paradë të forcave të armatosura dhe të Policisë së Kosovës, si dhe me një marshim masiv me moton “Drejtësi, jo politikë”.
Qytetarë të shumtë dolën në sheshe për të festuar përvjetorin dhe për të përcjellë mesazhe lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH 1, ish-zëvendëskomandanti i UÇK-së dhe ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, deklaroi se marshimi i sotëm ishte një mesazh i qartë për drejtësi të paanshme.
Kastrati theksoi se në Kosovë ekziston perceptimi se procesi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, të cilët ndodhen prej më shumë se pesë vitesh në paraburgim në Hagë, është i njëanshëm dhe me ngarkesë politike.
“Sot Kosova ka festuar 18-vjetorin e saj dhe ka pasur aktivitete të shumta ku forcat e armatosura kanë parakaluar me armatimet dhe pajisjet që disponojnë dhe gjithashtu dhe policia e Kosovës. Asnjëherë më parë nuk ka pasur në Kosovë kaq shumë njerëz për të marshuar për drejtësi dhe jo për politikë dhe kjo ka qenë një mesazh i qartë për gjykatën Speciale në Hagë sepse gjatë të gjithë procesit, 5 vite sa ne i kemi përcjellë duket që gjykata është e njëanshme. Udhëheqësit e UÇK ndodhen mbi 5 vite të burgosur dhe ne në Kosovë e konsiderojmë se është një gjykatë politike”, u shpreh Kastrati.
Sipas tij, motoja “Drejtësi, jo politikë” synon t’i përcjellë një mesazh si faktorëve ndërkombëtarë ashtu edhe atyre vendorë se Kosova nuk i shmanget drejtësisë, por kërkon një proces të drejtë dhe të paanshëm. Ai shtoi se shpreson që vitin e ardhshëm, përvjetori i Pavarësisë të festohet së bashku me ish-krerët e UÇK-së.
“Edhe motoja e protestës së sotme ka qenë drejtësi jo politikë, dhe përçoj mesazh tek të gjithë, faktori ndërkombëtar dhe ai vendor që të gjithë që ne nuk i ikim drejtësisë asnjëherë, por mos të ketë politik në këtë proces gjyqësor sepse lufta e UÇK ka qenë luftë e pastër për të larguar okupatorin. Ky është një mesazh për të gjithë ato që dëshirojnë që drejtësia ndërkombëtare mos të marrë një fiasko nga ky proces gjyqësor. Edhe pse nuk i kemi njerëzit kryesor unë shpresoj se vitin e ardhshëm do ti kemi për të festuar së bashku”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




