Pagë minimale dhe tarifa të përjashtuara për studentët ekselentë, Kumbaro: Viti 2025-2026 shënon kulmin e kësaj politike

Ministria e Arsimit dhe Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë kanë shpallur mbështetjen financiare për 444 studentë ekselentë dhe ata që ndjekin programe prioritare kombëtare, për vitin akademik 2025–2026.
Skema parashikon përjashtim nga tarifat e studimit dhe një mbështetje mujore në nivelin e pagës minimale, 50 mijë lekë për secilin student.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e cilësoi këtë vit si momentin kulmor të politikës së bursave.
“E institucionalizuar për herë të parë në vitin 2022, kjo skemë është shndërruar në një instrument të konsoliduar të politikave të arsimit të lartë. Rritja progresive e numrit të përfituesve dhe e fondit financiar dëshmon për një angazhim të qëndrueshëm për të mbështetur të rinjtë dhe për të rritur cilësinë akademike në universitete. Viti akademik 2025–2026 shënon kulmin e kësaj politike: 444 studentë përfitojnë nga skema, ndërsa mbështetja mujore arrin në 50,000 lekë për secilin.”
Nga këta, 166 janë studentë ekselentë dhe 278 ndjekin programe prioritare. Kumbaro theksoi se kjo shpërndarje “reflekton një orientim të qartë drejt fushave kyçe për zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të vendit”. Ajo shtoi se Universiteti Bujqësor i Tiranës ka numrin më të lartë të studentëve në degë prioritare, me 125 përfitues, ndërsa Universiteti i Mjekësisë kryeson për studentët ekselentë, po me 125 përfitues.
Në aktivitetin e organizuar për shpërndarjen e kontratave mes studentëve dhe Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë, ishte i pranishëm edhe kryetari i Konferencës së Rektorëve, Artan Hoxha.
Ai e lidh këtë mbështetje me politikat e përgjithshme për universitetet publike: “Pakti për universitetin ka rezonuar në një mbështetje financiare për studentët në tërësi. Ne si universitete publike kemi bërë politikat tona duke i mbajtur të njëjta apo ulur tarifat e studimit, për të lehtësuar kostot e jetesës së studentëve. Studentët që vijnë me nota të larta, nga nota 9 deri në 10, kanë një mbështetje financiare si dhe përjashtim nga tarifa e studimit. Bursat studentore për studentët e ekselencës dhe ata që studiojnë në programe me interes kombëtar mbulohen 100% nga buxheti i shtetit.”
Buxheti i Ministrisë së Arsimit për arsimin e lartë në vitin 2026 arrin në 185 milionë euro, shifra më e lartë nominale deri më sot.
Përmes këtij fondi mbulohen bursat për 12 mijë studentë nga shtresat sociale në nevojë, përjashtimi ose reduktimi i tarifave për 41 mijë studentë të universiteteve publike, si dhe skema e kreditimit studentor, ku qeveria mbulon deri në 5% të normës së interesit të kredisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





