Festivali Kombëtar i Shkencës në gjimnazet e vendit, Rama: Një hap i ri që ushqen pasionin për kërkimin dhe inovacionin

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur iniciativën e parë të Festivalit Kombëtar të Shkencës, një ngjarje që do të zhvillohet në gjimnazet e Shqipërisë, ku nxënësit do të prezantojnë projekte kërkimore, eksperimente, prototipe inxhinierike dhe zgjidhje digjitale. Rama e cilësoi këtë nismë si një hap të ri që ushqen pasionin për dijen, kërkimin dhe inovacionin, duke u uruar një javë të mbarë të rinjve të përfshirë në këtë aktivitet.
“Mirëmëngjes dhe me energjinë e bukur të kreativitetit të nxënësve që po bëhen gati për Festivalin e parë të Shkencës në gjimnazet tona, një hap i ri që ushqen pasionin për dijen, kërkimin dhe inovacionin, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.
Ky festival, i mbështetur nga Ministria e Arsimit, ka për qëllim që shkollat e mesme të shndërrohen në qendra të krijimtarisë dhe inovacionit, duke ofruar mundësi për nxënësit të demonstrojnë aftësitë e tyre përmes projekteve praktike dhe hulumtimeve të pavarura.
Ky aktivitet synon të rrisë interesin e të rinjve për shkencën dhe teknologjinë, si dhe të forcojë lidhjet ndërmjet arsimit parauniversitar, universiteteve dhe sektorit privat. Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të ndajnë idetë dhe produktet shkencore, duke treguar aftësinë e tyre për të zbatuar njohuritë në mënyrë krijuese dhe bashkëpunuese. Festivali gjithashtu ka për qëllim zhvillimin e aftësive analitike dhe komunikuese të nxënësve, duke i përgatitur ata për sfidat e së tashmes dhe të ardhmes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





