Kumbaro: Shqipëria merr pjesë me 180 shkolla në testimin ndërkombëtar PIRLS 2026

Arsim | 7 muaj më parë

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro ka zhvilluar një takim me drejtuesit e Zyrave Vendore Arsimore për organizimin e testimit ndërkombëtar PIRLS 2026, ku Shqipëria do të përfaqësohet me 180 shkolla gjatë muajit mars.

PIRLS është një vlerësim ndërkombëtar që mat aftësinë e nxënësve 10-vjeçarë për të lexuar dhe kuptuar tekstin, ndërsa këtë vit vendi ynë do të marrë pjesë për herë të parë në mënyrë plotësisht digjitale.

Sipas Ministres së Arsimit Mirela Kumbaro, po vijon puna e koordinuar me të gjitha strukturat arsimore, si në aspektin përmbajtësor ashtu edhe në atë logjistik, për të garantuar standarde të larta në këtë proces të rëndësishëm vlerësimi ndërkombëtar.

“Provimi ndërkombëtar PIRLS mat aftësinë e nxënësve 10-vjeçarë për të lexuar dhe kuptuar tekstin, ndërsa vendi ynë merr pjesë për herë të parë në mënyrë 100% digjitale në këtë provim, prandaj në Ministrinë e Arsimit po bëjmë një punë të përditshme koordinuese me të gjitha strukturat si për pjesën përmbajtësore ashtu edhe atë logjistike, në një angazhim serioz për të garantuar standarde sa më të larta në vlerësimin ndërkombëtar”, tha Kumbaro.

PIRLS, i cili kryhet çdo pesë vjet që nga viti 2001, njihet si standardi global për vlerësimin e trendeve në arritjet në lexim në klasën e katërt. PIRLS ofron të dhëna krahasuese ndërkombëtare se sa mirë lexojnë fëmijët dhe ofron informacione relevante për politikat për përmirësimin e të nxënit dhe mësimdhënies. PIRLS organizohet nga IEA, Shoqata Ndërkombëtare për Vlerësimin e Arritjeve Arsimore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme