Gonxhja: 173 milionë lekë për institucionet artistike, 57% më shumë rritje në bileta dhe 96% më shumë të ardhura

Ministri për Turizmin, Kulturën dhe Sportet, Blendi Gonxhja, deklaroi në një konferencë për shtyp se buxhetet për institucionet kulturore kanë pësuar një rritje të ndjeshme në vitin 2026, duke reflektuar një mbështetje më të madhe për artin dhe kulturën në vend.
“Buxhetet e institucioneve kulturore për projekte artistike kanë njohur një rritje të ndjeshme në vitin 2026. Krahasuar me vitin 2024, kur kemi pasur për të gjitha institucionet 47 milionë e 900 mijë lekë, në vitin 2025 shkuam në 92 milionë e 500 mijë lekë. Ndërsa në janar 2026 e nisëm vitin me institucione të buxhetuara me 173 milionë lekë të reja”, u shpreh ministri.
Ai theksoi se kjo përkthehet në një rritje të konsiderueshme të financimit. “Kjo përbën një rritje prej 261% krahasuar me nisjen e vitit 2024 dhe 87% krahasuar me nisjen e vitit 2025.”
Sipas Gonxhjas, kjo rritje nuk është vetëm financiare, por lidhet edhe me përgjegjësinë e institucioneve për të zhvilluar më tej skenën artistike dhe programet kulturore.
“Rritja e buxhetit reflekton mbështetje më të madhe dhe përgjegjësi më të madhe nga ana e institucioneve për skenën artistike në vend dhe ndërveprimin që ato kanë me artin dhe kulturën, si dhe krijimtarinë në programet që zhvillojnë”, tha ai.
Ministri shtoi se synimi është fuqizimi i institucioneve kulturore dhe rritja e autonomisë së tyre.
“Ideja është që kjo ministri jep nga vetja dhe fuqizon institucionet, ndërsa ato rrisin kapacitetet dhe nivelin e menaxhimit të këtyre fondeve. Kjo do të jetë e ardhmja e afërt, që këto institucione të jenë shumë më eficiente se vetë ministria. Kjo ka qenë dëshira ime për institucione artistike të fuqizuara”, shtoi ai.
Gonxhja bëri të ditur gjithashtu se edhe pjesëmarrja e publikut në aktivitetet kulturore ka shënuar rritje në fillim të vitit 2026.
“Për periudhën janar-shkurt 2026, pjesëmarrja e publikut në programet e artit dhe kulturës ka shënuar rritje prej më shumë se 7% krahasuar me vitin 2025. Ndërkohë, numri i biletave të shitura është rritur me 57%”, deklaroi ai. Ai nënvizoi se edhe të ardhurat kanë pësuar rritje të ndjeshme.
“Paralelisht kemi rritje të të ardhurave, të cilat krahasuar me vitin 2025 për këtë periudhë janë rritur me 96%, ose mbi 5 milionë lekë të reja”, tha Gonxhja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





