Përjetimet personale në një libër, autori shkodran sjell librin e tretë, ku trajton raportin e individit me realitetin

Kulturë | 1 minutë më parë

Individi dhe problematikat me të cilat përballet në jetën moderne janë në qendër të librit “Loja e formave gjeometrike në mure”, të shkrimtarit shkodran Suad Arilla. Vepra u promovua në Bibliotekën Publike “Marin Barleti” në Shkodër. Përmes këtij libri, Arilla trajton aspekte të ndryshme të jetës së individit dhe raportin e tij me realitetin që e rrethon. Autori shpjegon edhe arsyen përse ka zgjedhur një titull të veçantë për veprën e tij.

“Loja e formave gjeometrike në mure u zgjodh me qëllim që të ishte ngacmues për gjithë lexuesit apo për ata që e shohin librin në vitrinë dhe mendojnë se mund të më fshehë diçka interesante përbrenda. Është kryekëput një metaforë e gjithë performancës ose e asaj çfarë dëshiron që të tregojë libri. Përballja e individit në rrethana të ndryshme, me probleme të ndryshme dhe gjithmonë është në formën e formave gjeometrike ku është e pakuptueshme, e ndryshueshme, por nganjëherë dhe shumë strikte”, shpjegon autori.

Pjesë e librit janë edhe përjetime personale të shkrimtarit, të cilat ndërthuren me temat dhe problematikat që ai ka zgjedhur të trajtojë.

“Ndryshe prej dy librave të parë, këtu ka disa përjetime personale. Këto përjetime më kanë shtyrë që t’i fus aty dhe patjetër që nuk dalin si personale, dalin si të romanit. Kjo ka kjo është lufta si thuash në fund të fundit, por patjetër që ka përjetime personale”, u shpreh autori.

“Loja e formave gjeometrike në mure” është libri i tretë i Suad Arillës, i cili vijon rrugëtimin e tij në letërsi, duke sjellë një tjetër vepër që vendos në qendër njeriun dhe përvojat e tij në shoqërinë bashkëkohore.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme