AKU nis procesin e kategorizimit të stabilimenteve të përpunimit të peshkut

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR), Komitetin Ekonomik Kombëtar (KEK) dhe përfaqësues të bizneseve të sektorit, ka nisur një proces të ri vlerësimi dhe kategorizimi të stabilimenteve që operojnë në përpunimin dhe standardizimin e peshkut.
Takimi u zhvillua në ambientet e “Shtëpisë së Biznesit” dhe kishte në fokus rritjen e cilësisë dhe sigurisë ushqimore në këtë sektor strategjik.
Drejtoresha e AKU-së, Blerina Gjylameti, theksoi se nisma është thelbësore për garantimin e standardeve të sigurisë ushqimore, rritjen e transparencës në treg dhe për avancimin e integrimit të sektorit në tregun e përbashkët europian.
“Ky është një hap i domosdoshëm për të forcuar besimin e konsumatorëve dhe për të hapur mundësi të reja eksporti për produktet shqiptare,” u shpreh ajo.
Procesi i kategorizimit, i cili do të zhvillohet gjatë periudhës prill–korrik 2026, synon të krijojë një bazë të qartë për inspektimet dhe politikat mbështetëse, duke i orientuar operatorët drejt investimeve në cilësi dhe teknologji moderne.
Objektivat kryesore të nismës së prezantuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u përqendruan në garantimin e sigurisë ushqimore, duke siguruar që çdo stabiliment të përmbushë kërkesat ligjore dhe teknike për përpunimin e produkteve të peshkut.
Një tjetër element i rëndësishëm ishte rritja e transparencës në treg, përmes klasifikimit të qartë të operatorëve sipas nivelit të përmbushjes së standardeve.
Sipa AKU, procesi synon përmirësimin e kontrollit dhe monitorimit nga institucionet përgjegjëse, duke krijuar një bazë të strukturuar për inspektimet dhe politikat mbështetëse.
Në plan më të gjerë, ky proces synon afrimin me standardet e Bashkimit Europian dhe lehtësimin e eksportit të produkteve shqiptare.
Pjesëmarrësit në takim e vlerësuan këtë hap si një transformim të rëndësishëm për sektorin e peshkimit dhe përpunimit, i cili do të forcojë pozicionin e bizneseve shqiptare si në tregun vendas, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





