Detaje nga rrëmbimi i biznesmenit, autorët u prezantuan si agjentë të BKH-së, kërkuan 2 mln euro për ta lënë të lirë

Një ngjarje e rëndë kriminale është regjistruar në Tiranë, ku tre persona kanë marrë peng një biznesmen dhe i kanë kërkuar shuma të mëdha parash në këmbim të lirimit.
Sipas burimeve për RTSH, bëhet me dije se autorët janë dy vëllezërit K.N dhe J.N, si dhe kushëriri i tyre H.N, të cilët rezultojnë emra të njohur për policinë, me precedentë penalë për vjedhje dhe përfshirje në konflikte të ndryshme.
Viktima, një biznesmen 32-vjeçar me inicialet F. Sula nga Divjakë, ishte kthyer në Shqipëri rreth dy muaj më parë dhe dyshohet se ishte në vëzhgim prej kohësh nga autorët.
Ngjarja ka ndodhur pranë zonës së ish-Parkut në Tiranë, ku biznesmeni ishte duke konsumuar një kafe. Pasi është larguar nga lokali, tre autorët i janë afruar, të maskuar dhe duke u prezantuar si agjentë të BKH-së, duke e detyruar të hipte në automjet.
Fillimisht, ata i kanë kërkuar 2 milionë euro, por pas refuzimit e kanë dhunuar fizikisht dhe e kanë ulur shumën në 1 milion euro. Më pas, nën presion, kërkesa është reduktuar në 500 mijë euro.
Biznesmeni është mbajtur gjatë natës në një magazinë në zonën e Xhafzotaj, ku është dhunuar, ndërsa në mëngjes është lënë i lirë me kushtin që të siguronte shumën e kërkuar.
Menjëherë pas lirimit, ai ka bërë kallëzim në polici, duke dhënë detaje të plota për ngjarjen, çka ka vënë në lëvizje strukturat për kapjen e autorëve.
Hetimet kanë zbuluar se autorët kishin siguruar informacione nga persona të tjerë ende të paidentifikuar, të cilët dyshohet se i kishin informuar për gjendjen financiare të biznesmenit. Identifikimi i tyre është bërë edhe përmes kamerave të sigurisë përgjatë itinerarit ku kanë lëvizur, ndonëse gjatë gjithë kohës kanë qenë të maskuar dhe të veshur me të zeza.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




