Zjarri te “Farmacia 10”, Drejtori i Policisë Hita: Të gjitha strukturat janë angazhuar, ende s’kemi mundur të kontrollojmë të gjitha dëmet

Aktualitet | 7 muaj më parë

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e kësaj të marte një pallat banimi në zonën e njohur si “Farmacia 10”, përballë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Forcat zjarrfikëse dhe policia kanë ndërhyrë menjëherë, duke bërë të mundur evakuimin e dy banorëve, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën, megjithëse kanë pësuar asfiksi të lehtë. Ndërkohë, edhe disa punonjës të shërbimit zjarrfikës kanë marrë djegie të vogla, por janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se të gjitha strukturat janë angazhuar që në momentin e parë, përfshirë edhe repartet speciale, ndërsa deri tani nuk raportohet për humbje jete.

“Kanë qenë 2 banorë të evakuuar nga shërbimet zjarrfikëse dhe të policisë që në momentin e parë, janë në gjendje të mirë dhe jashtë rrezikut për jetën përveç asfiksisë dhe ende s’kemi bërë bilancin përfundimtar të pasojave që mund të ketë nëse do të ketë të tjera dhe në përfundim të bilancit pas fikjes së zjarrit do të bëjmë me dije për një bilanc tjetër në këtë drejtim. Punonjësit e shërbimit zjarrfikës në urgjencë kanë djegie të vogla mesa kemi informacion janë mirë me shëndet dhe nuk kanë probleme të rënda. Janë angazhuar të gjitha forcat dhe strukturat e policisë së shtetit që në momentin e parë me marrjen e njoftimit, kemi bërë menaxhimin dhe koordinimin e të gjithë veprimeve me të gjithë institucionet e tjera, janë vënë në dispozicion repartet e FNSH, reparti special RENEA dhe deri tani nuk kemi një njoftim zyrtar për humbje jete”, u shpreh Hita.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit, duke sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe duke mbledhur prova. Sipas policisë, nuk përjashtohet mundësia që ngjarja të ketë ardhur si pasojë e ndërhyrjes së personave të jashtëm.

“Kemi indiciet tona dhe po grumbullojmë provat, po marrim kamerat e sigurisë dhe do të kryhen të gjitha veprimet hetimore. Nëse zjarri do të jetë për shkaqe që kanë ardhur nga persona të jashtëm patjetër që do të ketë masa të tjera ekstreme”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme