Protesta e PD/ Molotov drejt Kryeministrisë dhe përplasje me policinë para Parlamentit, protestuesit shpërndahen me gaz lotsjellës. 4 të lënduar, mes tyre një efektiv 

Politikë | 6 muaj më parë

Partia Demokratike zhvilloi këtë të premte, 18 prill, protestën e saj të radhës, ku edhe këtë herë nuk munguan tensionet dhe hedhjet e molotovëve dhe fishekzjarrëve në drejtim të Kryeministrisë, si dhe përplasjet me efektivët e policisë.

Teksa protesta nisi paqësore dhe e qetë, me fjalimet e përfaqësuesve të PD-së dhe aleatëve të saj në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, situata u përshkallëzua pas përfundimit të fjalës së kryedemokratit Sali Berisha, ku protestuesit hodhën molotov dhe fishekzjarrë drejt godinës së Kryeministrisë.

Në përgjigje të situatës, forcat e Policisë së Shtetit ndërhynë për të shpërndarë turmën, duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Tensionet u rritën ndjeshëm në zonën përreth Kryeministrisë, ndërsa protestuesit u zhvendosën në disa akse të bulevardit.

Pas shpërndarjes nga zona e Kryeministrisë, protestuesit u drejtuan përpara Parlamentit, ku një kordon i Policisë së Shtetit ishte vendosur pranë godinës dhe Xhamisë së Namazgjasë.

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, tentoi të kalojë kordonin e policisë së bashku me një grup protestuesish, por hasi në rezistencën e efektivëve.

Gjatë përpjekjes për të depërtuar në zonën e rrethuar, policia ndërhyri sërish duke përdorur ujë me presion, ndërsa situata mbeti e tensionuar për disa minuta, deri në zmbrapsjen e protestuesve.

Si pasojë e tensioneve, katër persona mbetën të lënduar dhe u transportuan në Spitalin Universitar të Traumës për ndihmë mjekësore.

Sipas të dhënave paraprake, mes të lënduarve është një efektiv policie dhe tre protestues, përfshirë deputetin e Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, si dhe Aulon Kalaja.

Burime spitalore bëjnë me dije se gjendja e të lënduarve paraqitet e stabilizuar. 

Berisha: Protesta tjetër do të jetë më e fuqishme. Policia hodhi molotov duke plagosur protestues dhe efektivë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë nga selia blu pas përfundimit të protestës, akuzoi policinë për dhunë ndaj drejtuesve dhe protestuesve të opozitës.

Sipas tij, gjatë përplasjes janë shënjestruar figura kryesore të Partisë Demokratike dhe protestuesve, duke pretenduar se janë hedhur bomba dhe janë shkaktuar plagosje.

“Sot policia shënjestroi dhe goditi drejtuesit kryesorë të PD-së. Luçiano Boçi është në spital me djegie, Flamur Noka përsëri pësoi goditje. Klëvis Balliu në spital dhe drejtues të tjerë, Aulon Kalaja në spital gjithashtu. Sot drejtuesit e policisë kanë përdorur bomba kundër protestuesve dhe kanë plagosur disa prej tyre. Kanë hedhur shishe molotov dhe lanë të plagosur edhe protestues, por edhe policë, sepse u duheshin si dëshmitarë të gjoja akteve të protestuesve”, tha Berisha.

Në përfundim, ai paralajmëroi vijimin e aksionit opozitar, duke theksuar se protesta e radhës do të caktohet shumë shpejt dhe do të jetë edhe më e fuqishme.

“I dënoj me forcën më të madhe. Kryengritjen tonë paqësore nuk ka forcë në botë që e mposht. Protesta tjetër do të caktohet shumë shpejt, nuk tërhiqemi. Kjo është një kryengritje paqësore për rrëzimin e Ramës. Protesta tjetër do të jetë më e fuqishme”, deklaroi ai.

Protesta/ Humb ndjenjat Aulon Kalaja nga gazi lotsjellës, transportohet në ambulancë. Lëndohet edhe Luçiano Boçi 

Si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës dhe sprajit djegës nga Policia e Shtetit për të shpërndarë protestuesit, të cilët hodhën molotov dhe fishekzjarrë drejt Kryeministrisë, Aulon Kalaja ka humbur ndjenjat dhe është transportuar nga protestuesit në ambulancë për të marrë ndihmë mjekësore.

Po ashtu, në ambulancë është futur edhe deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i cili është lënduar nga gazi lotsjellës gjatë përplasjes në terren.

Boçi: Policia, sulm fizik të organizuar ndaj protestuesve dhe deputetëve

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka deklaruar se reagimi i policisë ndaj protestuesve është një sulm fizik i organizuar kundër njerëzve dhe deputetëve të opozitës.

Duke folur për mediat, Boçi iu drejtua efektivëve policisë duke iu thënë se “qytetarët vijnë edhe për ju edhe për fëmijët tuaj, dhe ju nuk keni dinjitet që nuk i mbroni. Secili prej jush është fajtor, me emër dhe mbiemër.”

Ai theksoi se mënyra se si policia po e menaxhon protestën tregon për një sulm të organizuar ndaj deputetëve të opozitës, protestuesve dhe gazetarëve.

Boçi hodhi gjithashtu edhe akuza ndaj drejtorit të ri të Policisë së Shtetit.

“Është e rëndë situata, kanë kryer sulm fizik të organizuar, i projektuar kundër njerëzve dhe deputetëve dhe kundër gazetarëve. Kjo është poshtërsi. Ka ardhur drejtori i ri, do mbrojë punën e tij, do mbrojë shefen e tij, do mbrojë kryeministrin. Këta janë robotë dhe do bëhen akoma më agresivë kundër njerëzve. Këta nuk pyesin, janë robotë, kanë marrë urdhër, janë njerëz politikë. Nuk kini turp, vini këtu e kapni deputetët”, nënvizoi më tej Boçi.

Berisha thirrje Ramës: Nëse s’vjen në sallën e gjyqit, hajde në debat televiziv. Shqipëria shpëtohet nga bashkimi i të gjitha partive opozitare

Para protestuesve mbajti fjalim edhe kryedemokrati Sali Berisha, i cili u shpreh se opozita nuk përfaqëson më vetëm një forcë politike, por sipas tij një “alternativë të shkëlqyer politike” dhe “shpresën e vetme për shpëtimin e Shqipërisë nga narkoshteti”.

“Sot nuk jemi thjesht si opozitë, por si një alternativë e shkëlqyer politike. Sot mblidhemi këtu në këtë protestë madhështore si shpresë e vetme për shpëtimin e Shqipërisë nga narkoshteti i Ramës. Miqtë e Shqipërisë në botë kërkojnë që ky vend të dalë nga kjo lëngatë e keqe. Kryengritja jonë paqësore, në të kaluarën, dhjetëra mijëra qytetarë u përballën në rrugët e Tiranës si të pamposhtur, dhëmbë për dhëmbë me regjimin, me gaz lotsjellës dhe plumba gome, por triumfuan. Ne jemi shpresa e vetme për Shqipërinë”, tha Berisha.

Duke iu referuar vendimit të GJKKO për pranimin e kërkesës së avokatëve mbrojtës për thirrjen e Kryeministrit Edi Rama si dëshmitar në çështjen “Partizani”, Berisha i bëri thirrje kreut të qeverisë që, nëse nuk paraqitet në sallën e gjyqit, të pranojë një përballje publike në një studio televizive.

“I them Edi Ramës, nëse nuk ta mban të vish në sallën e gjyqit, të ftoj të vish në debat në studion televizive që do të zgjedhësh ti dhe të paraqesë me fakte e prova akuzat ndaj krimit”, u shpreh Berisha.

Protesta e PD para Kryeministrisë, Berisha u bashkohet protestuesve. Rikthehen fjalimet, rreth 1500 efektivë në terren

Protestuesit janë mbledhur përpara Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, në protestën kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike. Kreydemokrati Sali Berisha i është bashkuar protestuesve para Kryeministrisë.

Ndryshe nga protestat e mëparshme, organizatorët kanë paralajmëruar se këtë herë do të ketë fjalime jo vetëm nga drejtuesit e Partisë Demokratike, por edhe nga përfaqësues të aleatit kryesor, Partisë së Lirisë, si dhe nga të rinj, aktivistë dhe qytetarë.

Për garantimin e rendit dhe sigurisë, Policia e Tiranës ka ndërmarrë një plan masash që përfshin kufizime të përkohshme në qarkullimin rrugor në disa nga akset kryesore të kryeqytetit, ndërsa në terren pritet të angazhohen rreth 1500 efektivë për garantimin e sigurisë.

Segmentet që preken nga bllokimet përfshijnë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deri te “Ura e Dajtit”. Qarkullimi ndalohet duke nisur nga ora 15:00 edhe në aksin nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në disa rrugë të tjera si “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Autoritetet policore u kanë bërë thirrje organizatorëve të respektojnë orarin dhe vendin e përcaktuar për zhvillimin e protestës, ndërsa kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimet e përkohshme në qarkullim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme